Ndarja nga jeta e akademikut Mark Krasniqi/ Meta-Basha: Humbën kolosin e mendimit, hidhërimi mbarëkombëtar

Shqipëria

Ndarja nga jeta e akademikut Mark Krasniqi/ Meta-Basha: Humbën kolosin e mendimit, hidhërimi mbarëkombëtar

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 13:16

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Kreu dmeokrat Lulzim Basha shprehën hidhërimin e tyre për ndarjen nga jeta të akademikut Mark Krasniqi, duke e vlerësuar atë një kolos të mendimit, humanizmit dhe patriotizmit.
“Në këto momente të vështira për familjen dhe të gjithë shqiptarët, shpreh ndjenjën më të fortë të solidaritetit dhe mirënjohjes për veprën e shquar të Mark Krasniqit, këtij kolosi të mendimit, humanizmit dhe patriotizmit. Vepra e tij do të mbetet një udhërrëfyes për brezat, si shembulli më i lartë i përkushtimit. i përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e Mark Krasniqit”, thuhet në një mesazh të kryetarit të Kuvendit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shprehur hidhërimin për ndarjen nga jeta të akademikut Mark Krasniqi dhe e konsideron një dhimbje mbarëkombëtare. Basha nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, shprehet se “Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta te akademik Mark Krasniqi. Jam i bindur se hidhërimi sot është mbarëkombëtar, sikundër ishte mbarëkombëtar respekti dhe vlerësimi per akademik Mark Krasniqin”. “Me largimin e tij nga kjo jete, familja humbi njeriun e dashur, shqiptaret humbën një patriot të madh, intelektual të dimensioneve globale, një politikan të urtë e të mencur dhe plot vizion. Lutem që Zoti t’i japë paqen e përjetshme Mark Krasniqit dhe familjes e miqve të tij forcën të mbaje peshën e dhimbjes”, shkruan Basha.
Akademiku Mark Krasniqi, një nga personalitetet më të shquara në fushën e shkencës dhe kulturës shqiptare, si dhe një aktivist i dalluar i çështjes kombëtare, u nda sot nga jeta në moshën 95-vjeçare.
Ai ka qënë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, si dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. Akademiku Krasniqi ka botuar libra shkencorë e letrarë dhe shumë tekste publicistike e shkollore, si dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje me poezi.
Për punën shkencore dhe angazhimin e tij në planin shoqëror, politik e kombëtar, mes të tjerash, ai është nderuar me “Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” nga presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 2003, si dhe me titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti Bujar Nishani në vitin 2014

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat