Ministria e Brendshme e udhëzon Bashën të lexojë mirë raportin e DASH

Shqipëria

Ministria e Brendshme e udhëzon Bashën të lexojë mirë raportin e DASH

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 17:37

Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka reaguar pas fjalës së kreut të opozitës Lulzim Basha lidhur me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në një deklaratë për mediat zv/ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, ka përshëndetur vlerësimet që përmban raporti i DASH për luftën kundër trafiqeve.

Gjebrea tha se Qeveria aktuale e ngriti në një kategori më lartë vendin tonë në raportin e DASH, duke iu referuar rritjes së përpjekjeve për luftimin ndaj këtij fenomeni.

Gjebrea: Në këtë raport renditen më shumë se 22 arritje konkrete

"Një ditë më parë u publikua raporti i DASH për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Gjetjet e raportit janë më të mirat për Shqipërinë, që kur DASH ka filluar të hartojë raporte të tilla. Në këtë raport renditen më shumë se 22 arritje konkrete në përpjekjen e qeverisë dhe MB në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Kujtoj këtu se vendi ynë që prej vitit të kaluar, kur doli nga lista e vendeve nën vë zhgim dhe u vendos në kategorinë 2, renditet sërish në kategorinë e vendeve që kanë rritur përpjekjet për zbatimin e ligjit kundër trafikimit", tha Elona Gjebrea.

Gjebrea iu përgjigj edhe akuzave të Bashës, ndërsa në mënyrë indirekte tha se ata që sot bërtasin, kur ishin në pushtet nuk përmbushën asnjë nga standardet.

Gjebrea: Ata që bërtasin sot tregojnë që më e pakta nuk kanë lexuar raportin

"Qeveria shqiptare e gjeti renditjen e Shqipërisë në 2013 në listën e vendeve nën vëzhgim dhe arriti ta ngrejë një kategori më lart duke e nxjerrë nga kjo renditje e turpshme. Mjafton të kujtoj se gjatë qeverisjes së kaluar Shqipëria ka qenë dy herë në listën e vendeve nën vëzhgim, për të kuptuar punën e madhe që duhet bërë për të arritur rezultate të qëndrueshme. Ata që bërtasin sot për përmbushjen e standardeve tregojnë që më e pakta nuk kan ë lexuar raportin dhe aq më tepër të njohin kriteret e klasifikimit sipas Protokollit të Palermos. Sipas raporteve të DASH, gjatë qeverisjes së kaluar këta që sot bërtasin me deklarata politike, plot 6 herë nuk kanë përmbushur standardet minimale dhe 2 herë kanë dështuar totalisht në këtë drejtim, duke e renditur Shqipërinë në listën e vendeve në vëzhgim, ashtu siç edhe e gjetëm kur morëm detyrën", tha më tej Gjebrea.

Në kuadër të luftës antitrafik, qeveria ka hartuar strategjinë 2014-2017 dhe plan veprimin kombëtar për të luftuar trafikimin./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat