Meta prezanton me Ceken kandidatin për Beratin

Shqipëria

Meta prezanton me Ceken kandidatin për Beratin

Më: 6 maj 2015 Në ora: 18:08

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka prezantuar sot kandidatin e koalicionit të majtë për bashkinë e Bertatit Petrit Sinaj.

Prezantimi i Sinanajt u bë në komunën Roshnik të Beratit ku ishin të pranishëm strukturat e LSI-së dhe të PS-së.

Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe aktori komik Sejfullah Myftari, i njohur si Cekja i Beratit.

Në fjalën e tij gjatë këtij takimi, Meta tha se vë re një progres të madh në këtë zonë në krahasim me vizitën e tij të fundit në Roshnik para disa vitesh.

“Nuk ka mbetur pëllëmbë tokë pa u mbjellë, ashtu sikurse progresi i jashtëzakonshëm është edhe rruga që vjen deri këtu dhe që ka nevojë të mirëmbahet që të mos degradojë si shumë rrugë të tjera që ndodh shpesh në vendin tonë. Besoj shumë tek vlerat e komunitetit tuaj sepse është një komunitet mjaft punëtor”, tha Meta.

Meta u ndal edhe në rëndësinë që ka reforma administrative-territoriale dhe ndikimet që do të ketë në jetën e komunitetit.

“Qëllimi nuk ka qenë që t’u heqim këtyre zonave statusin e komunave, absolutisht. Qëllimi është që t’u japim këtyre zonave statusin e bashkisë. Ato shërbime që ju keni patur deri më tani, nuk duhet të keni asnjë shqetësim që do të reduktohen apo që do të cenohen.

Përkundrazi, i vetmi ndryshim është që nuk do të zgjidhet kryetari i komunës që është zgjedhur, por do të caktohet. Dhe ai që ka qenë kryetar komune do të jetë administrator dhe do të jetë përgjegjës për të gjithë ato shërbime që i janë ofruar komunitetit deri më tani dhe që do t’i shtohen në të ardhmen. Por ndërkohë, bashkia merr më shumë përgjegjësi dhe ka mundësi të bëjë politika më të rëndësishme, strategjike për zhvillimin e të gjithë kësaj zone sepse është një zonë mjaft organike, ku Roshniku është i ndërlidhur edhe me Beratin, edhe me gjithë komunat e tjera”, tha Meta.

Ai bëri thirrje banorëve të zonës të votojnë kandidatin e majtë për bashkinë e Beratit, nëse duan që qyteti dhe komunat e tyre të zhvillohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat