Shqipëria me ambasadë të re në ShBA, Bushati takon Kerrin

Shqipëria

Shqipëria me ambasadë të re në ShBA, Bushati takon Kerrin

Më: 18 prill 2015 Në ora: 12:58

Ambasada e vendit tonë në Shtetet e Bashkuara është rikonstruktuar totalisht duke marrë një pamje fantastike dhe në përshtatje me arkitekturën vendase.

Ajo çeli dyert sot në një ceremoni të veçantë të organizuar sot në Uashington, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Pas një periudhe disa vjeçare merr fund përfaqësimi i munguar dhe jo i denjë i Shqipërisë në Uashington, duke çelur kështu një periudhë të re të përfaqësimit dinjitoz dhe aktiv në SHBA.

Në ceremoninë e inaugurimit ishin të ftuar përfaqësues të larte të Departamentit Amerikan të Shtetit, Ambasadorët kryesor të akredituar në Uashington, përfaqësues të institucioneve kryesorë, të diasporës shqiptare, të komunitetit të biznesit në Amerikë dhe përfaqësues të medias. Ka qenë gjithashtu i pranishëm edhe ish-ambasadori Aleksandër Arvizu.

Falë rikonstruksionit të plotë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë, (pronë e Shtetit shqiptar) do të ofrojë ambiente dhe shërbime moderne pune për stafin tonë diplomatik por edhe për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj që do të përfitojnë shërbimet e kësaj Ambasade.

Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare shkruhet se “angazhimet e qeverisë shqiptare për një përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në botë do të vijojë me nisma të tjera që rritën cilësinë e shërbimit dhe përfaqësimit”.

Në fjalën e tij në ceremoninë e inaugurimit ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati u shpreh se “përmirësimi i kushteve të përfaqësimit në Uashington është një shenje e qartë përgjegjësie si dhe një dëshmi konkrete e angazhimit tonë ndaj aleatit strategjik”.

Të hënën Bushati pritet të takohet me sekretarin amerikan të shtetit, Xhon Kerri.

Bashkëpunimi strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe roli i vendit tonë në rajon do të jenë temat kryesore të këtij takimi.

Ky është takimi i parë i kreut të diplomacisë shqiptare me sekretarin amerikan Kerri. Në agjendë është parashikuar të diskutohet edhe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimin rajoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat