Nikolla: Garanci për më shumë cilësi dhe autonomi universitare

Shqipëria

Nikolla: Garanci për më shumë cilësi dhe autonomi universitare

Më: 1 prill 2015 Në ora: 20:17

Qeveria shqiptare ka miratuar ligjin për arsimin e lartë, të shumëdiskutuar dhe kontestuar në rrethin e akademikëve dhe studentëve. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave ku ju dha OK ligjit ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u shpreh se nuk do të bëhet më kompromis me cilësinë dhe se Koha e universiteteve që bëjnë sikur japin mësim ka marrë fund.

“Ky është një ligj për studentët shqiptarë, një ligj që synon t’i japë mundësinë të rinjve të këtij vendi të fitojnë nga universitetet dije cilësore, të përfitojnë vlerën e munguar të mundit të tyre, t’i japë besimin prindërve që investimi, koha dhe financat e investuara do t’ia vlejnë. Kjo është dhe ka qenë e vetmja busull që na ka orientuar. Gjithçka tjetër, Ministria, universitetet, Profesorati, autonomia, qeverisja, agjencitë janë mjete në funksion të këtij qëllimi.

Ligji i ri ndryshon skemën e financimit, duke futur konceptin modern të financimit në bazë të performancës. Shteti do të jetë gjithmonë e më shumë financuesi i arsimit të lartë, por këto financa, taksa të qytetarëve shqiptarë, duhet të prodhojnë maksimumin e mundshëm të vlerës. Një skemë moderne financimi që priret nga treguesit e performancës të universiteteve tona do t’i shtyjë ato të modernizohen, të përmirësojnë shërbimin e ofruar ndaj të rinjve, të gjenerojnë gjithnjë e më shumë kërkim shkencor, bashkëpunim të zgjeruar ndërkombëtar etj.. Në thelb do të prodhojë arsim të lartë më cilësor”, tha Nikolla.

Sipas ministres, ‘ligji i ri për Arsimin e Lartë modernizon qeverisjen e brendshme universitare, duke i dhënë autoritet të qartë senatit akademik mbi qeverisjen akademike IAL-ve dhe mbështet punën e senatit me një strukturë administrative në shërbim të misionit të IALS-së’.

“Në një koncept më modern të qeverisjes së universiteteve, rrisim cilësinë akademike, duke fokusuar akademikët në detyrat akademike dhe rrisim cilësinë e administrimit, duke i mbështetur me administrator profesionistë.

Ligji i ri për Arsimin e Lartë sjell standardizim të gjithë hapësirës dhe të aktorëve, sipas parimit “një kut, një masë”, një sistem qeverisës, një set standardesh trupëzuar në një Kod Cilësie, një sistem sigurimi cilësie, një sistem të unifikuar kontrolli të ligjshmërisë, një sistem modern, në konkurrencë të drejtë, që ofron arsim të lartë cilësor.

E thënë qartë dhe prerë: Jo, ky ligj nuk çon para publike drejt institucioneve private. Përkundrazi, nxit rritjen e financimit publik e privat drejt arsimit publik, ashtu si dhe nxit shtimin e ofruesve të shërbimit publik të arsimit të lartë.

Ligji i ri modernizon kërkimin shkencor në universitete, duke e bërë një tregues të matshëm dhe të krahasueshëm cilësinë e universitetit; Ridimensionon agjencitë ekzistuese, duke i afruar me modelet më të mira europiane dhe duke modernizuar shërbimet e ofruara prej tyre”, tha ministrja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat