Kandidatët për bashkitë, Rama sot takime me deputetët

Shqipëria

Kandidatët për bashkitë, Rama sot takime me deputetët

Më: 30 mars 2015 Në ora: 08:56

Kreu i qeverisë ka thirrur sot takime me deputetët sipas qarqeve. Pritet të diskutohet për organizimet elektorale dhe emrat e kandidatëve. Të mërkurën pritet që kreu socialist të bëjë të njohur emrat e kandidatëve zyrtarë.

Kreu i qeverisë, Edi Rama do të nisë sot një tur të dytë takimesh me deputetët e tij sipas qarqeve për të diskutuar në lidhje me përgatitjet zgjedhore. Takimet do të fillojnë paradite dhe ato do të jenë të organizuara me deputetët e secilit qark. Burime nga PS-ja kanë bërë të ditur se sot do të jetë radha e një pjese të mirë të të zgjedhurve të disa qarqeve, ku objekt i diskutimeve do të jenë përgatitjet elektorale.

Natyrisht në këtë kuadër, përveç masave organizative për koordinimin e të gjitha strukturave dhe bazës së partisë në betejën e ardhshme elektorale, pjesë e diskutimeve pritet të jetë edhe përzgjedhja e kandidatëve për kryetarë bashkish. Bëhet fjalë për një numër të vogël bashkish, të cilat ende nuk kanë përcaktuar emrat për kryetarë bashkish, ku përfshihen Tirana, Vlora, Fieri e ndonjë bashki tjetër e vogël.

Kështu, megjithëse takimet Rama i ka thirrur vetëm për sa i përket çështjes organizative elektorale, deputetë e qarqeve ku ende gara për kandidim është e hapur, pritet të kërkojnë informacion sa i përket emrave që do garojnë në këto bashki. Sa i përket Tiranës, situata ka nisur të qartësohet, pasi siç bëjnë të ditur burime nga selia rozë, më i favorizuari duket se është ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj.

Ndërkohë që ende në garë mbeten edhe dy deputetët, Blendi Klosi dhe Pandeli Majko, të cilët gjithashtu në sondazhet partiake kanë gjetur një mbështetje të konsiderueshme. Nga ana tjetër për këtë bashki ka shprehur aspiratat e tij edhe kreu i Agjencisë së ALUIZNI-t, Artan Lame, i cili vetëm pak ditë më parë konfirmoi konkurrimin e tij, ndërsa kërkoi nga partia që të zhvillojë një garë të hapur për të përzgjedhur kandidatin e koalicionit.

Një tjetër bashki e cila ende nuk ka një emër final dhe që pritet të jetë objekt diskutimi në këto takime të kryesocialistit është edhe Vlora. Pasi përjashtoi nga kjo garë rikandidimin e Shpëtim Gjikës, PS duket se ka evidentuar dy emrat ndërmjet të cilëve duhet të zgjedhë; atë të prefektes Etjona Hoxha, dhe Dritan Lelit.

Burime nga PS-ja kanë bërë të ditur se më shumë shanse ka prefektja Hoxha. Po ashtu gara mbetet e hapur në kampin socialist edhe për Bashkinë Fier. Mësohet se në garë kanë mbetur vetëm dy kandidatë, deputetët Armando Subashi dhe Ervin Koçi, ku duket se i pari është favorit.

Nisur edhe nga rëndësia që kanë këto qarqe, duket se vendimmarrja do i përkasë vetë Edi Ramës, i cili nuk ka ndërmend që ta diskutojë këtë çështje me forumet partiake. Gjithsesi mësohet se kjo vendimmarrje pritet të jetë shumë e shpejtë, pasi burime pranë PS-së bëjnë me dije se të mërkurën kreu socialist edhe pas një konsultimi me aleatin e tij, Ilir Meta, pritet të bëjë të ditur vendimmarrjen, jo vetëm për këto tri bashki, por edhe të zyrtarizojë kandidatët dhe për bashkitë e tjera.

Përcaktimi i kandidatëve nga e majta duket se mban peng edhe procesin e përzgjedhjes së kandidatëve edhe nga e djathta. Kjo pasi në shumë raste, përfshi edhe Tiranën, të djathtët kandidatët e tyre kanë vendosur t’i përzgjedhin në varësi të kandidatit që do përzgjedhë kundërshtari. Kështu sa i përket Tiranës, të djathtët kanë një sërë kandidatësh alternativë, si deputetët Majlinda Bregu, Jorida Tabaku, Halim Kosova, apo edhe Grida Duma.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat