Dojaka: Koha për kandidatë të pavarur

Shqipëria

Dojaka: Koha për kandidatë të pavarur

Më: 4 mars 2015 Në ora: 00:41

Një nga përfaqësuesit e mazhorancës tha këtë të martë në mbrëmje gjatë emisionit Ekopolitikë në Ora News se partitë e koalicionit të majtë mund të testojnë daljen me kandidatë jo politikë në zgjedhjet lokale të këtij qershori.

Kreu i Aleancës Popullore Artur Dojaka la të kuptohej se kjo parti mund të dalë me kandidatë të pavarur dhe apeloi që qytetet e vendit kanë nevojë për administratorë dhe menaxherë në krye të punëve, jo kandidatë me profil domosdoshmërisht politik dhe mundësisht të pavarur nga partitë propozuese.

Deklarata është bërë ndërsa në studion e gazetares Aurora Sulçe, Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, kreu i AP, Dojaka, drejtuesi i GIZ, Ismail Bega dhe ish-drejtori i AKU Genc Juka, debatuan rreth cilësisë dhe kontrollit të ushqimeve që tregtohen në vend.

Shumë prej tyre kanë shfaqur problematika shqetësuese për publikun.

Panariti theksoi ndryshimet ligjore si parakusht për të patur kontrolle më efikase. Dyzimi i institucioneve pushtet qendror-pushtet lokal ka penguar efikasitetin në kontrolle – tha ministri duke nënvizuar nevojën e ndërhyrjes me kuadër të ri ligjor.

Kurse Dojaka theksoi se shtimi i ligjeve apo rishkrimi i tyre nuk i kanë zgjidhur problemet në Shqipëri.

“Depolitizimi i pushtetit vendor është rruga” – tha ai duke përsëritur idenë e daljes me kandidatë të pavarur, të cilët nuk janë të lidhur me entet politike.

Rama dhe Meta kryetarët e dy partive të mëdha të koalicionit PS dhe LSI janë duke diskutuar këto ditë ndarjen e zonave për zgjedhjet lokale.

Ndërkohë që kanë dalë të dhëna mbi skemën, janë ende të pakta informacionet mbi emrat që pritet të garojnë.

Shumica e tyre janë konsideruar spekulime.

Nuk dihet nëse ideja e Dojakës për kandidatë që anojnë më shumë nga profile menaxherialë dhe jo domosdoshmërisht politikë, është edhe e PS-së dhe LSI-së apo parti brenda mazhorancës janë drejt daljes me kandidatë të pavarur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat