Soset Shqipëria, pakësohen njerëzit dhe territori

Shqipëria

Soset Shqipëria, pakësohen njerëzit dhe territori

Më: 1 mars 2015 Në ora: 21:42

etëm gjatë dekadës së fundit, popullsia e vendit u tkurr me 11%, ndërsa 20% e sipërfaqes territoriale është dëmtuar rëndë nga shembjet dhe përmbytjet. Hemorragjia e ikjeve do të vazhdojë të paktën edhe për 15 vitet të tjera sipas parashikimeve të INSTAT-it. Mosha mesatare e popullsisë nga 35 vjeç aktualisht pritet të arrijë në 41,7 vjeç në vitin 2031. Të gjithë efektet në demografinë dhe ekonominë e vendit

Një shtet nuk mund të funksionojë pa burimet njerëzore dhe pa territor. Por vitet e fundit të paktën për Shqipërinë këto dy burime jetike po tkurren me shpejtësi. Nga të dhënat e fundit mësohet se 20% e sipërfaqes së vendit është dëmtuar nga përmbytjet dhe rrëshqitjet, ndërsa në dekadën e fundit, popullsia e tkurr me 11%. Në vend që politika të alarmohet për këto ndodhi, ka zgjedhur të bëjë indiferenten. Ka një arsye të qëllimshme në këtë mes, pasi emigracioni është pjesa më e dukshme e dështimit të politikës në këto vite. Fenomeni është lënë në heshtje i patrajtuar dhe pa mjete parandalimi.

Vetëm gjatë vitit që shkoi, janë larguar nga vendi 46 mijë persona, raportoi INSTAT, por projeksionet janë ogurzeza. Në vitin 2024, forca e re e punës do të jetë e barabartë me numrin e atyre që do të dalin në pension, çka do të thotë se, në kushtet ideale ku nuk do të ketë asnjë të papunë, pas 10 vitesh pensionistët nuk ka kush t’i zëvendësojë.

Parashikimet tregojnë se, emigracioni sistematik do të vijojë deri në vitin 2031 dhe përveç qarqeve të Tiranës, Vlorës dhe Durrësit, të tjerat do të shpopullohen edhe me 40%. Vendi, për 25 vjet, ka humbur një të tretën e popullsisë dhe emigracioni vijon të jetë në nivele alarmuese.

Përvojat botërore tregojnë se, cikli i migracionit në vendet tipike ka zgjatur 15 vjet dhe pas kësaj periudhe numri i të kthyerve me të larguarit është barazuar. Në Shqipëri, hemorragjia e largimeve nga vendi ka hyrë në vitin e 25-të dhe bilanci mbetet thellësisht negativ dhe kjo dukuri do të zgjasë edhe për të paktën 16 vite.

Ekspertët pohojnë se, daljet do të jenë të larta, për sa kohë që niveli i jetesës në Shqipëri do të jetë më i ulët se i fqinjëve dhe nëse autoritetet shtetërore nuk e rrisin besimin te njerëzit se situata ekonomike do të ndryshojë. Vetëm Instituti i Statistikës e ka një bilanc se çfarë do t’i ndodhë vendit në aspektin demografik, por ende nuk dimë kostot dhe përfitimet e fenomenit të emigrimit ndër vite. Por, tek e fundit, çfarë rëndësie kanë përfitimet kur popullsia i është kthyer rënies më shpejtësi pa perpektivë ndalimi. Me këtë ecuri, Shqipëria renditet e dyta në Europë pas Moldavisë për nivelin e lartë të emigracionit. Të dyja vendet renditen të parat për nivelin e varësisë në Europë. Mosha mesatare e popullsisë në 10 vitet e fundit është rritur ndjeshëm me 5 vjet, duke komplikuar problemet me skemën e pensioneve, ku do të ketë më pak kontribuues për ata që kanë arritur moshën e pensionit.

Hemorragjia do të vazhdojë deri më 2030

Popullsia në moshën kulmore të emigrimit do të rritet gjatë dhjetë viteve të ardhshëm. Balancimi pothuaj neutral i migrimit pritet të ndodhë vetëm në vitin 2030, sipas INSTAT. Por ekspertët shpjegojnë se, gjithçka do të jetë në varësi të zhvillimit ekonomik të vendit në krahasim me vendet e tjera europiane. Parashikimet e momentit nuk presin që kjo të ndodhë para vitit 2031. Projeksionet tregojnë se të larguarit do të jenë 100.000 deri në 300.000 persona. Për shkak të këtij fenomeni, popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2015, arriti në 2.893.005 banorë, duke pësuar rënie prej 2.942 banorësh, krahasuar me atë të 1 janarit 2014, referoi INSTAT. Popullsia në vitin 2030 pritet të pakësohet edhe 3.3%, duke arritur në 2,795,523 banorë. Rezultatet e parashikimit tregojnë intensifikim të rënies demografike pas vitit 2031 për të arritur në 2.3 milionë banorë në vitin 2060.

Anketimet që ka bërë Banka Botërore, INSTAT dhe organizata të tjera qeveritare tregojnë se, arsyeja themelore e emigrimit të shtetasve shqiptarë është ajo ekonomike. Organizatat e profilizuara të fushës analizojnë se, emigracioni si fenomen masiv ndodh pas rënies së sistemeve politike, si në vitet 1990 ose pas krizave ekonomike si ajo e vitit 1997. Por faktor kryesor i hemorragjisë sistematike është besimi i pamjaftueshëm i qytetarëve te qeveritë vendase se, kushtet ekonomike do të përmirësohen në të ardhmen.

Papunësia ndër të rinj në Shqipëri është rreth 30% aktualisht. Ndërsa niveli i pagave mesatare është shumë poshtë vendeve të BE-së. Mungesa e perspektivës shihet themelore. Gjatë katër viteve të fundit është rritur ndjeshëm numri i kërkesave për azil nga ana e të rriturve si dhe të fëmijëve në disa vende të BE-së, motivuar nga nevoja për mbrojtje nga fenomeni i gjakmarrjes apo dhe vështirësitë ekonomike në Shqipëri. Gjatë vitit 2013, azilkërkuesit shqiptarë në BE ishin 50% më shumë se më 2012. Ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014, sipas Eurostat, numri i azilkërkuesve ishte 20% më i lartë se në vitin 2013.

Nga “Shqipëria e re” në “Shqipëri të plakur”

Lindshmëria e ulët dhe emigrimi i vazhdueshëm në të ardhmen janë përcaktuar si shkaqet kryesore të plakjes së popullsisë së Shqipërisë. Numri i fëmijëve do të vazhdojë të bjerë me një të katërtën dhe numri i të moshuarve do të rritet me katër të pestat deri në vitin 2031. Kjo do të çojë drejt plakjes së avancuar të popullsisë, me më shumë varësi të të moshuarve në krahasim me fëmijët. Numri i fëmijëve më pak se 15 vjeç do të bjerë me 30% deri në vitin 2031. Ndërsa numri i të moshuarve me moshë 65 vjeç e lart rritet me 84% në krahasim me vitin 2011, për të arritur ndërmjet 570.445 dhe 604.693 individëve në vitin 2031. Numri i individëve shumë të moshuar (me moshë 80 vjeç e lart) pritet të dyfishohet sipas të gjithë skenarëve, duke arritur në më shumë se 120.000 në vitin 2031. Kalimi nga një popullsi me dominancë të të rinjve në të moshuar mund të zgjasë vetëm një brez në Shqipëri, krahasuar me një gjysmë shekulli në Europën Perëndimore. Megjithatë, nëse brezat e rinj vazhdojnë të emigrojnë dhe të ulin më shumë lindshmërinë e tyre, Shqipëria do të pësojë rënie natyrore të popullsisë nga fillimi i viteve 2020. Krahas kësaj, raporti gjinor i lartë në lindje që nga vitet 1990 do të çojë në një disbalancë gjinore në rritje në popullsinë e ardhshme të moshës së riprodhimit, gjë e cila mund të kufizojë perspektivën e krijimit të familjes nga një pjesë e konsiderueshme e meshkujve.

Plakja po çon në krizë sistemin e pensioneve

Qeveria, këtë vit, ndërmori një reformë të re në sistemin e pensioneve për t’i paraprirë kolapsit që do të vijë nga plakja e popullsisë për shkak të emigracionit të lartë, i cili është faktori kryesor për një lindshmëri të ulët.

Shqipëria sot ka një popullsi të re, por parashikimet afatgjata tregojnë se në të ardhmen do të ketë një plakje të popullsisë. Rritja e pjesës që zë popullsia mbi moshën e pensionit ndaj totalit të popullsisë, shoqërohet me një rënie të pjesës që zë popullsia në moshë pune.

Kjo plakje e popullsisë do të sjellë edhe një rritje të koeficientit të varësisë së të moshuarve, i cili nga 23% në vitin 2012 rritet në 41% në vitin 2030. Më pas ritmi i rritjes gradualizohet, duke shkuar në 56.8% në vitin 2055 dhe merr vlerën më të lartë, 68.9%, në vitin 2080. Numri i pensionistëve ndaj numrit total të popullsisë do të rritet gradualisht nga 19.1% në vitin 2012 në 28.3% në vitin 2040.

Norma e varësisë së sistemit, që shpreh raportin mes kontribuuesve dhe përfituesve, do të rritet nga rreth 86 pensionistë për 100 kontribuues aktualisht, në rreth 120 pensionistë për 100 kontribuues në vitin 2032. Kjo vjen si rezultat i rritjes me një ritëm më të shpejtë të numrit të pensionistëve se sa kontribuuesve.

Për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve dhe rënies së numrit të popullsisë në moshë pune, treguesit financiarë të skemës së pensioneve do të vazhdojnë të përkeqësohen deri në vitin 2030.

Ritmi i rritjes së shpenzimeve do të jetë shumë më i lartë se ritmi i rritjes së të ardhurave, duke e bërë skemën edhe më të paqëndrueshme nga ana financiare. Si rrjedhim, deficiti aktual i skemës së pensioneve do të vazhdojë të thellohet duke arritur pikën kulmore në vitin 2029.

Për t’i paraprirë zgjerimit të deficitit nga plakja e popullsisë që këtë vit, mosha e daljes në pension për gratë, nis e rritet me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç, në vitin 2032.

Që nga viti 2032, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç, për të dy sekset, në vitin 2056. Në këtë rritje, jetëgjatësia te gratë është më e lartë se jetëgjatësia te burrat. Nëndrejtori i ISSH-së, Astrit Hado, tha se ndikim për përkeqësimin kanë dhënë lëvizjet demografike, nën ndikimin edhe të emigracionit të moshave të reja dhe tendencat e plakjes së popullsisë.


Qarqet shpopullohen me 40%

Shumica e qarqeve do të provojnë një rënie në numrin e lindjeve. E kombinuar me rritjen e vdekjeve në të gjithë Shqipërinë, qarqet do të provojnë rënie në rritjen natyrore të popullsisë në të ardhmen, ka analizuar INSTAT. Tirana është qarku i vetëm ku rritja natyrore do të mbetet pozitive, rrjedhojë e një strukture më të favorshme të moshës që lidhet me migrimin e brendshëm, kryesisht nga vajzat, gjë që rrit brezat në moshën e lindjes së fëmijëve.

Ekspertët e Institutit të Statistikave, në projeksionet e tyre për popullsinë deri në vitin 2031, kanë parashikuar pesë lloje të ndryshme të ecurisë demografike në 12 qarqet e vendit. Në Tiranë, Vlorë dhe Durrës, stabilizimi ose rritja e popullsisë pritet të nxitet nga migrimi i brendshëm, si dhe nga emigrantët e kthyer në rastin e Vlorës. Grupi i dytë përbëhet nga Kukësi dhe Dibra, të cilat pavarësisht nga një tejkalim në diferencën e lindjeve kundrejt vdekjeve, do të provojnë rënie të fortë të popullsisë për shkak të balancës shumë negative të migrimit të brendshëm që përfaqëson të paktën trefishin e emigrimit jashtë. Berati dhe Fieri formojnë grupin e tretë. Pavarësisht nga një nivel negativ i rritjes natyrore, zvogëlimi i popullsisë në këto qarqe do të vijë kryesisht nga migrimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare. Grupi i katërt përfshin Korçën dhe Gjirokastrën, të cilat mund të dallohen, janë të prekura njësoj nga rënia natyrore në nivele negative, për shkak të migrimeve ndërkombëtare dhe të brendshme. Lezha, Elbasani dhe Shkodra formojnë grupin e fundit të karakterizuar nga një tendencë drejt një numri të balancuar të lindjeve dhe vdekjeve. Rënia demografike deri në vitin 2031 nxitet kryesisht nga migrimi ndërkombëtar.

Si përfundim, një rënie në emigrimin ndërkombëtar deri në vitin 2031 sa një e treta e nivelit të vëzhguar në vitet 1990, në të gjitha qarqet, kombinuar me një ulje të lehtë të lindshmërisë, nënkupton një shpopullim deri në 40% në shumicën e qarqeve (përveç Tiranës, Vlorës dhe Durrësit), referon INSTAT.

Tendencat e fundit demografike parashikohet të shfaqen edhe në nivel qarku. Rritja e popullsisë deri në vitin 2031 mund të pritet vetëm për Tiranën (deri në 30%) dhe, në një masë më të vogël, për Vlorën dhe Durrësin, sepse këto qarqe përbëjnë destinacionet fillestare të imigrimit ndërkombëtar dhe të brendshëm.

Plakja e popullsisë do të përparojë më shpejt në Jug, për shkak të fillimit të hershëm të tranzicionit të lindshmërisë dhe emigrimit në shkallë të gjerë që nga vitet 1990. Kjo dinamikë demografike rajonale do të nxjerrë në pah përqendrimin gjeografik të popullsisë së Shqipërisë në qendrat kryesore ekonomike në vend, dhe veçanërisht në Tiranë. Sipas skenarit normal, deri në vitin 2031, 45% e popullsisë pritet të banojë në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit (kundrejt 35% në vitin 2011).

Emigracioni po shteron forcën e punës, më pak konkurruese

Popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi). Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet një rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës. Duke ikur, lirojnë hapësirat për punësim për ata që mbeten. Efekti pozitiv i rënies së papunësisë (në mënyrë mekanike për shkak të emigrimit) përveç të tjerash qëndron dhe në faktin së reduktohen shpenzimet buxhetore për të paguar kategorinë e të papunëve. Megjithatë, në të njëjtën kohë që reduktohet buxheti për mbulimin e pagesës sociale për të papunët, si pasojë e uljes së numrit të papunësisë nga emigracioni, reduktohen dhe të ardhurat nga taksimi në buxhet, i ardhur për të njëjtën arsye, nga emigracioni. Në një situatë të tillë, shumë shpejt vendi do të humbë konkurrueshmërinë në rajon edhe për investimet e huaja. Aktualisht është krahu i lirë i punës që ka sjellë në Shqipëri kompanitë e huaja. Por gjatë dekadës së ardhshme edhe kjo mundësi duket se do të shterojë./Monitor

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat