Pse nuk shkoi Rama për urime?

Shqipëria

Pse nuk shkoi Rama për urime?

Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 23:07

Shumëkujt mund t’i ketë rënë në sy që kryeministri Edi Rama nuk ishte në ndonjë nga selitë e komuniteteve fetare për urim ditën e Krishtlindjes.

Ai është mjaftuar me një urim të shkurtër në Facebook.

Ndërkohë Presidenti dhe kryetari i Kuvendit ishin tek këto seli, kurse kryetari i PD ishte në një kishë në Vaun e Dejës.

Cilado të jetë arsyeja e kryeministrit për të munguar këtë ditë, mund të mos vësh re një tendencë të tij për të qenë më ndryshe në këtë drejtim.

Kjo është një ditë e zakonshme për mediat shqiptare, që presin përpara selive të komuniteteve dhe politikanët që mbërrijnë për urime.

Ndoshta duket pak e çuditshme, nisur nga fakti se edhe Edi Rama po e tepron me daljen në media, por para pak ditësh, në një pritje të OSBE, ai do deklaronte: “Në fillim të viteve ’90, kur isha vetëm një njeri i lirë i këtij qyteti, habitesha në çdo rast që më ftonin në kremtime përfaqësish të huaja, me shpurën e pranishme qeveritare. E cila më dukej atëherë si një karvan krushqish që ndalej festë më festë dhe ambasadë më ambasadë për të bërë qokën e radhës, pa e fshehur gëzimin përpara tabakave të mbushura me prodhime tunduese që solli liria. Më pas, kur u bëra dhe vetë pjesë e karvanit, vija gjithnjë me frikën se mos iu ngjaja unë njerëzve të këtij qyteti, njësoj siç më ngjanin mua krushqit e Qeverisë në këto lloj qokash, kur ende s’e kisha lënë lirinë peng në varësen e kostumit zyrtar. Ndërsa që kur jam në detyrën që kryej, prania ime është krejt minimale dhe dëshira ime që të ndërpritet ky ritual provincial, që më kujton përshkrimet e Kadaresë për festat e konsullatave të huaja në Shqipërinë e viteve ’10-të, ’20-të të shekullit të kaluar, është maksimale”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat