70-vjetori i Çlirimit, ja aktivitetet në Tiranë

Shqipëria

70-vjetori i Çlirimit, ja aktivitetet në Tiranë

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 22:38

Programi për Festën e 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë përmban një sërë aktivitetesh. Ato do të nisin që në mëngjes, ku fillimisht do të vendosen kurora lulesh në nderim të të rënëve në varrezën e dëshmorëve tek "Nëna Shqipëri".

Ministria e Mbrojtjes ka përgatitur një paradë ushtarake pranë ambienteve të saj, për të rimishëruar Luftën Nacionalçlirimtare, ndërsa në orën 13:00 parashikohet që Kryeministri Edi Rama dhe Kreu i Kuvendit, Ilir Meta të zhvillojnë një takim me veteranët e Luftës së Dytë Botërore.

Po ashtu, Kryesia e Kuvendit dhe salla Parlamentit do të jenë të hapura për publikun që nga ora 9:00 deri në orën 15:00, ku do të ekspozohen fotografi dhe videogaleri.

Në muzeun e sapohapur për publikun, në Bunk’Art do të organizohet një aktivitet artistik, nën organizimin e shoqatës artistike "Globart". Gjatë aktivitetit "Pas Hekurave" do të lexohen letërkëmbime, tekste dhe poezi të shkruara në burg, gjatë kohës së diktaturës, nga artistë dhe intelektualë, ish-të burgosur politikë.

Pasdite, në orën 17:00 do të çelet një ekspozitë në hollin protokollar të Kryeministrisë me titullin Këndvështrime, ndërsa një orë më pas, do të nisë festivali i dritave.

Festimet për 70 vjetorin e çlirimit do të kulmojnë në orën 22:00 të darkës ku në sheshin “Nënë Tereza” do të organizohet një koncert, ku e ftuara kryesore do të jetë këngëtarja e mirënjohur britanike Jessie J, e cila do të performojë live në Shqipëri.

Agjenda e aktiviteteve në Tiranë

09:00 - 15:00 Kuvendi i Shqipërisë (Kryesia dhe Salla Plenare) në kuadër të 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut do të jetë i hapur për publikun

10:00 – Ceremonia e vendosjes së kurorave në Varrezat e Dëshmorëve

11:00 - Bunk'Art kaktivitet artistik në kuadër të 70 vjetorit të çlirimit, Shoqata Artistike "Globart" organizon “Pas Hekurave”

11:30 – Parada Ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes

17:00 – Ekspo “Këndvështrime”, në Hollin Protokollar në Kryeministri

18:00 - Organizohet ceremonia zyrtare e Institucionit të Kuvendit, ku do të flasë Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe përfaqësues të tjerë të ftuar në këtë event

18:00 – Festivali i Dritave

19:30 – Pritje në Pallatin e Kongreseve me rastin e 70 vjetorit të Çlirimit

22:00 – Koncert & Nata e bardhë, Sheshi “Nënë Tereza”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat