Lirohet ish-drejtori i burgut të Rrogozhinës. Prokuroria: Gjykata shkeli ligjin

Shqipëria

Lirohet ish-drejtori i burgut të Rrogozhinës. Prokuroria: Gjykata shkeli ligjin

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 09:01

Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje” për, ish-drejtorin e burgut të Rrogozhinës, Ferdinand Doksani i akuzuar për “shpërdorim detyre”. Këtë vendim Prokuroria e Durrësit e ka konsideruar në kundërshtim me ligjin, ndërsa paralajmëroi se do ta ankimonte. Gjyqtarja Shpëtime Pitaku ndryshoi masën e sigurisë për personin e dyshuar, me 17 nëntor të këtij viti, duke u mjaftuar vetëm me një kartelë mjekësore të lëshuar nga mjekët e ambienteve të paraburgimit, në të cilën thuhet se pacienti ka probleme me tensionin dhe probleme psikologjike. Sipas prokurorisë kartela është vlerësuar e mjaftueshme nga gjyqtarja për të ndryshuar masën, duke mos respektuar ligjin dhe praktikën e Gjykatës së Lartë, e cila përcakton se për ndryshimin e masës për shkaqe mjekësore, duhen marrë parasysh disa kritere.

“Duhet të kryhet ekzaminimi mjekësor, në rastin konkret nuk është bërë asnjë procedurë e tillë. Ekspertët mjeko-ligjorë duhet të thërriten në një seancë të veçantë, në të cilën të sqarojnë problemet shëndetësore që kanë pacientët që gjenden në kushtet e paraburgimit, një seancë e tillë nuk është realizuar, pasi nuk ka asnjë ekspertizë mjeko-ligjore, dhe pasi të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore se pacienti në paraburgim ka probleme shëndetësore, duhet vlerësuar nëse sëmundja e pacientit mund të trajtohen në ambientet e posaçme të paraburgimit. Në rastin konkret, as nuk është përcaktuar nga ekspertizë mjeko-ligjore nëse pacienti është sëmurë dhe për më tepër, nuk është bërë asnjë analizë nëse ambientet spitalore të burgut i kanë mundësi për të trajtuar shqetësimet shëndetësore të pacientit apo jo” deklaroi prokuroria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat