Ministri kanadez takon Ramën dhe Metën

Shqipëria

Ministri kanadez takon Ramën dhe Metën

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 14:54

Kryeministri Edi Rama priti sot, në takim, Ministrin e Punëve të Jashtme të Kanadasë, John Baird. Baird përgëzoi Ramën për politikën konstruktive në rajon dhe kontributin e Shqipërisë në sigurinë e paqes dhe në përballimin e sfidave të sotme të sigurisë në shkallë globale.

Rama theksoi progresin e arritur në rajon, mungesën e konflikteve dhe jetesën në paqe me njëri-tjetrin, por edhe të ndërgjegjshëm për brishtësinë e paqes dhe rrezikut potencial nga rritja e ekstremizmit sot në botë.

Në takim u nënvizua rëndësia e forcimit të partneritetit në fushën e sigurisë midis dy vendeve dhe në kuadër të aleancës euroatlantike, për përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë që kërcënohen nga terrorizmi dhe ekstremizmi.

Në takim u fol gjithashtu, për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh, ku u vlerësua prezenca e investimeve kanadeze në Shqipëri.

Baird u takua dhe me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, i cili vlerësoi këtë vizitë të parë të një Ministri të Punëve të Jashtme të Kanadasë në Shqipëri duke theksuar se marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Kanadasë duhen konsoliduar më tej në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Baird shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të parë në Shqipëri si dhe mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar në shërbim të paqes dhe stabilitetit.

Duke biseduar mbi partneritetin ekonomik mes dy vendeve, Meta dhe Baird vlerësuan gjithashtu edhe rolin domethënës të komunitetit shqiptar në Kanada si një urë solide bashkëpunimi mes dy vendeve dhe mes dy popujve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat