Agron Cane tentoi vetëvrasjen

Shqipëria

Agron Cane tentoi vetëvrasjen

Më: 20 gusht 2014 Në ora: 00:50

Gjykata e Sarandës dha masën e arrestit me burg për Agron Canen, sekretarin e deputetit socialist Koço Kokëdhima, i cili u përfshi në një skandal duke kërkuar favore seksuale nga një e mitur 14- vjeçare në shkëmbim të një vendi pune për nënën e saj.
Prokuroria e Sarandës ka ngritur akuzën ndaj 62-vjeçarit edhe për abuzim e ngacmim seksual ndaj të miturve, gjithashtu për ushtrim të ndikimit të paligjshëm për sigurimin e një vendi pune.

Agron Cane u arrestua më 16 gusht, pasi u publikua videoja ku gjatë një bisede Cane i kërkoi një nëne të ve me 4 fëmijë, që kryente marrëdhënie seksuale me vajzën e saj 14 vjeçe në këmbim të një vendi pune.

I akuzuari tha gjatë seancës gjyqësore të caktimit të masës së sigurisë se është i pafajshëm dhe se situatën do e zgjidhte vetë.

“Jam i pafajshëm. Këto do të vërtetohen me provat e tjera që do të paraqesë mbrojtja. Kjo është një goditje politike për për shkak të aktivizimit tim në zyrat e Partisë Socialiste”, tha Cane.

Cane u mbrojt nga avokati i tij, Gjergji Imeraj, ndërsa prokurore e cështjes ishte Rita Gjati.

Avokati i të akuzuarit u shpreh se klienti i tij në momentin e publikimit të videos kishte tentuar vetëvrasjen, duke shtuar se i kishte kërkuar policisë të ruante Canen në paraburgim.

Gjatë seances, prokurorja Gjati tha se prokuroria ka regjistruar procedimin penal dhe po kryen hetime lidhur me kryerjen e veprave penale të “Ngacmimit seksual” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”.

“Organi i procedimit vlerëson se ky arrestim është në përputhje me kushtet e kriteret që përcakton Ligji Procedural Penal në nenet 251 -259 të K.Pr.Penale për këto arsye:

Është kryer një vepër penale nga ato që përcakton neni 251 i K.Pr.Penale, për të cilin ligji material penal e konkretisht nenet 108/a/2 e 245/1 i K.Penal parashikon dënim me burgim jo më të ulët në max se 2 vjet. Personi I arrestuar dyshohet se ka kryer veprat penale.

Ky fakt vërtetohet me aktet e hetimit paraprak që kanë të bëjnë me procesverbalin e kallëzimit të krimit, date 16.08.2014, me procesverbalin e këqyrjes e marrjes së provës materiale, datë 17.08.2014.

Për këto shkaqe kërkoj caktimin e masës së sigurimit për këtë shtetas “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 I K.Pr.Penale, për veprat penale të “Ngacmimit seksual”, parashikuar nga neni 108/a/2 i Kodit Penal dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal”, tha prokurorja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat