Shqiptarët janë europianë, të krishterë e myslimanë

Shqipëria

Shqiptarët janë europianë, të krishterë e myslimanë

Më: 9 korrik 2014 Në ora: 12:34

Edi Rama ka qenë i pranishëm mbrëmë në një iftar ku ishin të pranishëm përfaqësues politikë e fetarë të Shqipërisë. Në një postim në Facebook, Kryeministri thotë se “shqiptarët janë europianë, të krishterë e myslimanë”.

Lexojeni të plot postimin e tij.

Mbrëmë në sofrën e iftarit ku në fjalën e rastit u thanë edhe këto fjalë lidhur me situatën në Maqedoni:

Shqipëria është një vend evropian ku myslimanët dhe të krishterët s’janë lëkundur asnjëherë seriozisht në dashurinë tyre për Europën dhe në dëshirën e tyre për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian.

E tillë është dhe Kosova dhe mos qoftë e thënë të lëkunden ndonjëherë. Por ndërkohë, më lejoni ta them, të tjerët miqtë dhe partnerët tanë nuk duhet ta harrojnë se palëkundshëmria e shqiptarëve si Evropianë pa dallim fesh dhe vendbanimesh, vjen prej një besimi që nuk ushqehet veç me fjalë dhe me ëndrra në këtë botë lëkundjesh nga të katër anët.

Çka po ndodh këto ditë në Maqedoni meriton vëmendje, maturi pa dyshim, po reflektim dhe madje të thellë po ashtu. Marrëveshjes së Ohrit nuk i kanë dalë për zot vetëm dy palët që e përbejnë Maqedoninë, maqedonasit dhe shqiptarët, por edhe garantët e asaj marrëveshjeje, miqtë dhe partnerët e besuar ndërkombëtarë. E nëse maturia u duhet shumë dy palëve tona, reflektimi i thellë nevojitet të jetë trepalësh, pasi as burgosja e përjetshme e 6 shqiptarëve, as reagimi me flamuj të një radikalizmi fetar që i bie ndesh interesave shqiptare, nuk mund të justifikohen.

Por këto janë pasoja të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe një humbjeje besimi ndër shqiptarët, për të cilat garantët nuk duhet ti kërkojnë të gjitha shkaqet jashtë sferës së përgjegjësive të tyre. Ashtu sikundër besoj unë edhe flamujt e radikalizmit fetar nuk ngrihen mbi shkopinj, por mbi plagë sociale gërryese, varfërim, papunësi, keqarsimim dhe izolim, të cilat shkaktojnë reaksione nga më agresivet në organizmin shoqëror të një bashkësie. E për këto duhet menduar me tre palë për Maqedoninë. Për këto duhet menduar me shumë palë për Ballkanin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat