Integrimi i vendeve rajonale kontribuon në sigurinë e BE-së

Shqipëria

Integrimi i vendeve rajonale kontribuon në sigurinë e BE-së

Më: 9 korrik 2014 Në ora: 11:14

Në kuadër të vizitës së tij në Lisbonë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit sot nga Ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë, Rui Machete me të cilin biseduan mbi marrëdhëniet dypalëshe, mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian dhe mbi zhvillimet e fundit ndërkombëtarë.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Portugalisë në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe veçanërisht për konsolidimin e perspektivës evropiane të vendit, duke nënvizuar se miratimi i statusit të vendit kandidat në BE është një lajm i mirë jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë,RuiMachete shprehu bindjen se Portugalia qëndron e gatshme t'a ndihmojë Shqipërinë në përshpejtimin e axhendës evropiane, dhe vuri në dukje se marrëdhëniet dypalëshe duhen çuar në një fazë me dinamike shkëmbimesh. Në këtë kuadër u vlerësua puna e Ambasadës të Shqipërisë dhe e dy Konsujve të Nderit në Portugali dhe u konfirmua vendimi i palës portugeze për hapjen së shpejti të Konsullatës së Nderit në Tiranë, hap që do i shërbejë konkretizimit të shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore mes dy vendeve.

“Duke biseduar mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, Meta dheMachete ndanë bindjen se konsolidimi i një axhende të prekshme të integrimit evropian për qytetarët e të gjithë vendeve të rajonit të Ballkanit, do jetë një kontribut për forcimin e parametrave të sigurisë dhe stabilitetit për vetë Bashkimin Evropian, i cili mbetet i paplotësuar pa një Ballkan Perëndimor tërësisht të integruar”, thuhet në një komunikatë të Kuvendit të Shqipërisë.Në përfundim MinistriMachete vlerësoi se vizita e Meta ne Portugali dhe forcimi i marrëdhënieve ndër-parlamentare do t'i japë një shtysë të rëndësishme konkretizimit të marrëdhënieve mes Portugalisë dhe Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat