Barroso falenderon Nishanin për titullin:Ju inkurajoj të punoni për konsensusin kombëtar

Shqipëria

Barroso falenderon Nishanin për titullin:Ju inkurajoj të punoni për konsensusin kombëtar

Më: 4 korrik 2014 Në ora: 14:14

Presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, i ka dërguar kreut të shtetit Bujar Nishani një letër falenderimi për dekorimin me Titullin e “Flamurit Kombëtar”. Në letrën drejtuar Nishanit, Barroso shprehet i kënaqur për vizitën e tij në vendin tonë gjatë momentit historik kur Shqipëria mori statusin kandidat.

“Gjej rastin t’Ju falenderoj edhe njëherë për bisedimet konstruktive që patëm në Tiranë më 30 qershor. Isha shumë i kënaqur të zhvilloja vizitën gjatë momentit historik kur Shqipëria mori statusin kandidat, dhe ndihem mirënjohës dhe i nderuar për dekorimin me Titullin e “Flamurit Kombëtar” nga Ju, të cilin e quaj një shenjë të angazhimit të përbashkët për perspektivën europiane të kombit tuaj”.

Duke theksuar se tashmë është hapur një kapitull i ri në marrëdhëniet BE-Shqipëri, Barroso thekson se është shumë e rëndësishme që reformat të ndërmerren në një mënyrë të qëndrueshme dhe përfshirëse. Në këtë kontekst ai inkurajon Nishanin si zyrtarin dhe liderin më të lartë të shtetit të vazhdoni të punojë për këtë konsensus të gjerë kombëtar!

“Ne kemi hapur tashmë një kapitull të ri në marrëdhëniet BE-Shqipëri. Jam i bindur se të gjitha forcat politike në Shqipëri, do të ndërtojnë mbi këtë sukses të përbashkët dhe do të intensifikojnë dhe përshpejtojnë përpjekjet e tyre për reforma, kryesisht në drejtim të prioriteteve kyçe të identifikuara për hapjen e negociatave, me fokus të veçantë tek shteti i së drejtës.Siç diskutuam, është shumë e rëndësishme që reformat të ndërmerren në një mënyrë të qëndrueshme dhe përfshirëse. Më lejoni, për këtë arsye, t’Ju inkurajoj si zyrtarin dhe liderin më të lartë të shtetit të vazhdoni të punoni për këtë konsensus të gjerë kombëtar!Jam i bindur se Shqipëria do të shënojë progres të mëtejshëm të rëndësishëm në rrugën e saj drejt Bashkimin Evropian në vitet në vazhdim, dhe pres më kënaqësi takimin tonë të ardhshëm.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat