Shqipëria instalon kamera përgjatë kufirit me Kosovën për të frenuar emigrantët e bandat kriminale

Shqipëria

Shqipëria instalon kamera përgjatë kufirit me Kosovën për të frenuar emigrantët e bandat kriminale

Më: 16 maj 2024 Në ora: 11:29
Foto ilustrim

Shqipëria ka instaluar një rrjet “të sofistikuar” kamerash përgjatë kufirit të saj me Kosovën, të ofruara nga qeveria britanike, në një përpjekje për të frenuar numrin e emigrantëve që shkojnë drejt Mbretërisë se Bashkuar dhe për të gjurmuar aktivitetin kriminal në rajon. Njoftimi u bë të mërkurën nga autoritetet britanike.

Sipas autoriteteve britanike dhe mediave lokale shqiptare, shtetasit shqiptarë ishin në mesin e 45,000 personave që mbërritën në Britaninë e Madhe me skafe në vitin 2022, në kërkim të një pune më të mirëpaguar krahasuar me vendet fqinje si Greqia apo Italia. Shumë prej tyre përfundojnë duke punuar në shtëpitë e kultivimit të kanabisit, deri në dy vjet, për të paguar paratë që u detyrohen trafikantëve.

Zyrtarët e lartë britanikë i kanë quajtur më pare flukset e shqiptarëve “pushtim”, gjë që shkaktoi tensione diplomatike me Tiranën, e cila i akuzoi ata se po “i veçonin” shqiptarët për “qëllime politike”.

Rrjeti i sapo instaluar – i cili ka kushtuar 1.86 milion euro – përfshin dhe një flotë dronësh e kamerash që përdoren për të identifikuar targat e makinave.

Dronët do t’u japin mundësi autoriteteve të gjurmojnë emigrantët që kalojnë nëpër zonat malore të Shqipërisë veriore, të cilët policia e ka të vështirë t’i monitorojë, ndërsa kamerat do të ndihmojnë sistemet shqiptare, të identifikojnë automjetet britanike të përdorura nga kriminelët, që kërkojnë të shmangin zbulimin nga policia lokale, thuhej në një deklaratë të dërguar me email agjencisë ‘Associated Press’ nga ambasada britanike në Tirana.

Ministri britanik Kundër Migracionit të Paligjshëm, Michael Tomlinson, i cili ndodhej në Tiranë, zhvilloi të martën bisedime me ministrat e Brendshëm nga Shqipëria dhe Kosova, përkatësisht Taulant Balla dhe Xhelal Svecla, mbi përpjekjet e përbashkëta për të luftuar “emigracionin e paligjshëm”.

Zoti Tomlinson tha se partneriteti me Shqipërinë është “një pikë referimi për mënyrën se si ne duam të punojmë me partnerët në nivel global”, duke shtuar se pothuajse asnjë shqiptar nuk po mbërrin tashmë në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla.

“Ne kemi dhënë rezultate të shkëlqyera jo vetëm në reduktimin e migracionit të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuara, por edhe në ndihmën për të ofruar mundësi për shqiptarët që të qëndrojnë dhe të përparojnë në vendin e tyre. Puna jonë për të ndalur anijet nuk fillon në kanalin e la Manshit – ajo fillon nga burimi”, tha ai.

Shqiptarët nuk mund të aplikojnë për azil në Britaninë e Bashkuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat