Tragjedia në Potam ku humbi jetën 7-vjeçarja, Prokuroria e Vlorës kërkon 15 vite burg për Arjan Tasen

Shqipëria

Tragjedia në Potam ku humbi jetën 7-vjeçarja, Prokuroria e Vlorës kërkon 15 vite burg për Arjan Tasen

Më: 8 maj 2024 Në ora: 16:26
Tragjedia në Potam ku humbi jetën 7-vjeçarja

Prokuroria Vlorë kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit A.T. dhe dënim me 15 vite burg për ‘Vrasje me Dashje’ 

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në bazë të nenit 378 të K.Pr.Penale ka parashtruar konkluzionet përfundimtare në lidhje me procedimin penal nr.918 të vitit 2022 me të pandehur shtetasin A.T. i akuzuar për veprën penale ‘Vrasja me dashje’ parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.

Kjo prokurori, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit A.T., dhe dënimin e tij me 15 vite burg për veprën penale ‘Vrasja me dashje’.

Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, deklaron se provohet se ditën e ngjarjes, në datën 02.08.2022, rezulton se i pandehuri A.T., ka qënë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorrë dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij J.A., mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorrat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin. E mitura J.A. ndërroi jetë në moment.

Në lidhje me të pandehurin A.T., nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, kqyrja e vendit të ngjarjes, e pamjeve filmike, provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal në formën e dashjes indirekte.

Organi i akuzës, ka bindjen e plotë se i pandehuri A.T., ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Vrasja me dashje’, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, në lidhje me kualifikimin e faktit penal si ‘Vrasja nga pakujdesia’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat