“Qumështi nga Serbia ka përmbytur tregun shqiptar”- Ilir Meta takon fermerët në Korçë

Shqipëria

“Qumështi nga Serbia ka përmbytur tregun shqiptar”- Ilir Meta takon fermerët në Korçë

Më: 14 prill 2024 Në ora: 15:17
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte në Korçë ku është takuar me fermerë të kësaj zone. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Meta thotë se bujqësia është një sektor jetik për ekonominë e vendit, por që po shkon drejt greminës.

Sipas Ilir Metës qumështi nga Serbia ka përmbytur tregun shqiptar, ndërsa numri i krerëve tek ne brenda një pesëvjeçari thuajse është përgjysmuar.

Kreu i PL thotë se bujqësia dhe blegtoria do të jenë në fokus të forcës politike që ai drejton, duke theksuar se “Partia e Lirisë do t’i dhurojë 10 MIJË EURO fond çdo familje fermere që hap një biznes bujqësor familjar dhe do ta përjashtojë për pesë vite nga taksat dhe tatimet”.

Reagimi i Ilir Metës

Kënaqësi të takoja Edi Pinon në fermën e tij në Shtyllë të Vithkuqit dhe të bisedoja me të mbi shqetësimet që ai dhe blegtorët e tjerë anembanë vendit kanë në këto kohë dramatike për blegtorinë.

Ky sektor jetik për ekonominë e vendit po shkon drejt greminës për shkak se subvencioni për çdo koke lope është 80 euro, gati 5 herë më pak se në Serbi, ndërkohë që 65% e fermave të lopëve te ne që zotërojnë me pak se 10 krerë, përjashtohen nga subvencioni, me një prag diskriminues dhe antikushtetues.

Është kjo arsyeja pse qumështi nga Serbia ka përmbytur tregun shqiptar, sepse numri i krerëve tek ne brenda një pesëvjeçari thuajse është përgjysmuar dhe vazhdon uljen e pandalshme.

Shqipëria, prodhon sot më pak qumësht se çdo vend tjetër në Europë. Vetëm 41 litra qumësht nga bagëtitë për banorë, ndërkohë që në Europë kjo sasi shkon deri në 1900 litra qumësht për banorë.

Zbrazja e vendit është e lidhur në veçanti me falimentimin e qëllimtë të Bujqësisë dhe të Blegtorisë.

Shqipëria, një fuqi eksportuese është 1 nga 5 prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë.

Ne do të rritim me pesëfish financimin për Bujqësinë dhe Blegtorinë.

Do ta ulim TVSH për prodhimet bujqësore dhe blegtorale në 5 përqind ose katër herë më pak se sot.

Partia e Lirisë do t’i dhurojë 10 MIJË EURO fond çdo familje fermere që hap një biznes bujqësor familjar dhe do ta përjashtojë për pesë vite nga taksat dhe tatimet.

Partia e Lirisë do ta kthejë Shqipërinë në fuqi eksportuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat