Task-forca për ujërat e ndotur: Afati i vendosjes së impianteve është 1 maji i këtij viti

Shqipëria

Task-forca për ujërat e ndotur: Afati i vendosjes së impianteve është 1 maji i këtij viti

Më: 10 mars 2024 Në ora: 11:38
Foto ilustrim

Task Forca e ngritur kundër ndotjes së ujërave, qe nisi punën prej janarit të këtij viti, i lë edhe 60 ditë kohë bizneseve që operojnë në turizmin, të vendosin impiantet e përpunimit të ujërave të ndotur. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve thotë se janë në proces rekrutimi dhe se po kryhen në të gjithë vendin një fushatë informuese për bizneset. Drejtori Klevis Jahaj bën me dije që afati i vendosjes së impianteve është 1 maji i këtij viti.

“Pas kësaj date, Task Forca ka të gjithë të drejtën për të ushtruar kontrolle për të monitoruar jo vetëm zbatueshmërinë e impianteve, por edhe mënyrën si po operojnë për subjektet që duhet ta kenë instaluar sipas detyrimeve ligjore”, u shpreh ai.

Ndërsa lidhur me ankesat e disa biznese në jug të vendit, Jahaj sqaron se akti normativ për ngritjen e Task Forcës ishte nevojë emergjente dhe se bizneset e kanë patur që më parë detyrimin ligjor.

“Ka qenë një detyrim i vazhdueshëm që të gjitha këto subjekte kanë pasur për paratrajtimin e ujërave të ndotura, duhet të theksoj se kjo është një masë emergjente”, theksoi Jahaj.

Task Forca ka jo vetëm të drejtën për të monitoruar zbatueshmërinë, por ka edhe të drejtën e marrjes së masave administrative.

“Përveç masave administrative që Task Forca ka të drejtën të vendosë, pas 60 ditësh kjo masë administrative është sa dyfishi i masës para administrative dhe në fund të mbylljes së sezonit, Task Forcës i lind e drejta të kërkojë dhe pezullimin e aktivitetit deri në plotësimin e standardeve të caktuara”, deklaroi Jahaj.

Synimi i punës se Task Forcës është që nëpërmjet këtij akti ligjor të arrihet standardi në rajon, të 95 përqind të ujërave larës të pastër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat