MPJ-ja greke: Vendimi për Belerin shkel parimet e shtetit të së drejtës

Shqipëria

MPJ-ja greke: Vendimi për Belerin shkel parimet e shtetit të së drejtës

Më: 5 mars 2024 Në ora: 20:45
Fredi Beleri

Ministria e jashtme greke ka reaguar lidhur me vendimin e marrë këtë të martë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) për Fredi Belerin, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, i cili u dënua me dy vite burg.

Me anë të një postimi në faqen zyrtare të saj, MPJ-ja greke është shprehur se vendimi për të dënuar me dy vite burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës është dukshëm joproporcional në raport me masën e veprës së pretenduar, shkruan “Euronews Albania”.

Gjithashtu në postimin e ministrisë thuhet se “zbatimi selektiv i vendimeve gjyqësore” dhe “zbritja e vendimeve gjyqësore nuk janë në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës” ndërsa shton se “qeveria greke do të monitorojë nga afër çështjen”.

“Dënimi i sotëm nga një gjykatë shqiptare ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Belerit, shton shqetësimet e ngritura për objektivitetin e procesit. Dhe kjo për shkak të lëkundjes së prezumimit të pafajësisë për shkak të deklaratave dhe veprimeve të jashtme që mbronin dënimin dhe duke qenë se dënimi përfundimtar është dukshëm joproporcional në raport me masën e veprës së pretenduar”.

“Masa e dënimit, që të mos dalë nga burgu, e pengon kryebashkiakun e zgjedhur që edhe sot të marrë detyrën dhe e mban kandidatin e mundur në krye të bashkisë, pavarësisht vendimit të shprehur të gjykatës muaj më parë që vendosi shkarkimin e tij të menjëhershëm”.

“Zbatimi selektiv i vendimeve gjyqësore dhe zbritja e vendimeve gjyqësore nuk janë në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Qeveria greke do të monitorojë nga afër çështjen dhe do të presë një gjykim të drejtë dhe objektiv në shkallën e dytë të juridiksionit”, thuhet në postimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë.

Fredi Beleri, që vjen nga pakica greke në Shqipëri, u dënua sot nga GJKKO me 2 vite burgim për korrupsion në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Beleri i fitoi zgjedhjet për Bashkinë e Himarës, por nuk u betua për shkak se ndodhet në paraburgim. Kjo çështje ka shkaktuar edhe tensione diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat