Pronat, në një vit vetëm 329 aplikime, mbetet i ulët edhe numri i përfituesve

Shqipëria

Pronat, në një vit vetëm 329 aplikime, mbetet i ulët edhe numri i përfituesve

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 08:05
Foto ilustrim

Ndryshe nga çfarë pritej, ndryshimet e bëra në ligjin e pronave nuk sollën përshpejtim të procesit të kompensimit. Referuar raportit të ATP-së përgjatë vitit që lamë pas janë kompensuar vetëm 9 familje, ndërsa i ulët ka qenë edhe numri i aplikimeve të bëra nga qytetarët. Kështu, në harkun e 12 muajve janë depozituar vetëm 329 kërkesa, nga të cilat 319 për Kompensimin fizik Financiar dhe 10 për Kompensimin me Kërkesë të Veçantë.

Ndërkohë, të dhënat zyrtare tregojnë se nga hyrja në fuqi e ligjit të reformuar në 2015-n dhe deri në 2023 janë kompensuar 812 familje me një fond rreth 7.9 miliardë lekë ose rreth 79 milionë dollarë. Gjithashtu janë shpërndarë 717 hektarë tokë nga fondi fizik. Ecuria e procesit ka qenë e kushtëzuar edhe nga betejat e njëpasnjëshme ligjore, nëpër të cilat i është dashur të kalojë ligjit të pronave. Pas padisë së depozituar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, prej nëntorit procesi është pezulluar sërish në pritje të vendimit të radhës nga Gjykata Kushtetuese.

Me ndryshimet e bëra në vitin 2022 u rishikua skema e kompensimit për ato familje që preken nga ndryshimi i zërit kadastral, pra, që kanë pasur një tokë, e cila aktualisht ka statusin e tokës truall por në momentin e konfiskimit rezulton jashtë vijës së verdhë. Në këto raste, ligji përcakton që pronarët të përfitojnë 10 për qind të vlerës së kompensimit.

Nga ndryshimet preken edhe ato familje që kanë përfituar më herët një pjesë të pronës, pra iu është kthyer. Nëse me ligjin e mëparshëm këto familje konsideroheshin të kompensuara, me skemën e re do të marrin 10 për qind të diferencës ndërmjet pronës së mbetur dhe asaj të kthyer. Lidhur me mënyrën e kompensimit, krahas skemave tradicionale siç është kompensimi fizik dhe financiar, një formë e re kompensimi për rreth 25 mijë pronarë që qëndrojnë në listë prej gati 3 dekadash, do të jetë edhe kompensimi me aksione. Pronarëve do t’ju ofrohet si mundësi përfitimi i aksioneve në shoqëri me kapital shtetëror ose në shoqëri tregtare ku shteti zotëron aksione që kanë vlerë të barabartë me pronën e paluajtshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat