Shqipëri, shoqatat bëjnë thirrje për mbrojtjen e ligatinave

Shqipëria

Shqipëri, shoqatat bëjnë thirrje për mbrojtjen e ligatinave

Më: 2 shkurt 2024 Në ora: 20:44
Foto ilustrim

Në Ditën Ndërkombëtare të Ligatinave, një numër organizatash mjedisore, studentë dhe përfaqësues vendor, u bashkuan në Lagunën e Vilunit, në zonën e mbrojtur në Velipojë, për të apeluar mbi mbrojtjen e kësaj pasurie kombëtare, e cila vazhdon të dëmtohet nga ndërhyrjet njerëzore, por edhe ndryshimet klimatike.

Shqipëria ka rreth 3.2 përqind të sipërfaqes së saj me ligatina që bartin 75 përqind të biodiversitetit natyror, ndërsa 4 prej këtyre zonave janë zona Ramsar me mbrojtjen ndërkombëtare, thotë Mark Rupa, ekspert i mjedisit pranë organizatës SNVP “ Mbrojmë vlerat e natyrës dhe njerëzit”.

“Në Shqipëri janë zhvillimet e shumta infrastrukturore që po zhvillohen në laguna. Ne shikojmë edhe ndërhyrjet që janë bërë në lagunën e Vainit dhe Kunes, një pjesë të Nartës me aeroportin. Janë By Passi i Shkodrës, resortet turistike që po prekin këto laguna. Kemi edhe në Gjirin e Lalzit një problem të tillë. Pra, kudo në Shqipëri, zhvillimet infrastrukturore po ndikojnë shumë në këto sisteme që janë shumë të rëndësishme për ekonominë dhe peisazhin turistik shqiptar”, thotë ai.

Vetëm rajoni i Shkodrës ka 46 mijë hektarë ligatina ku përfshihen Liqeni Shkodrës, Lumi Buna, Këneta e Domnit dhe Laguna e Vilunit në zonën e Velipojës. Drejtori i zonave të mbrojtura për rajonin e Shkodrës, Agim Dardha, thotë se qëllimi është që banorët, të cilët jetojnë në këto zona të mbrojtura, të ndërgjegjësohen për ruajtjen e tyre si një pasuri që u shërben edhe komuniteteve lokale.

“Qëllimi jonë kryesor është ndërgjegjësimi i popullatës që të mos ndërhyjnë në ligatina. Efektet pozitive nuk jepen vetëm për banorët apo bizneset dhe aktorët që jetojnë brenda territorit të këtyre ligatinave, por të gjithë territorit, pasi ne jemi edhe një zonë ndërkufitare, ku thuajse e gjithë vija ujore e jona ndahet edhe me pjesën e Malit të Zi, pasi kemi Lumin Buna dhe Liqenin e Shkodrës”, thotë ai..

Ligatinat në Shqipëri, sipas zotit Rupa, kërcënohen nga ndryshimet klimatike, ndërhyrjet njerëzore në mjedis, përmbytjet, menaxhimi i gabuar i një pjese prej tyre nga qeverisja vendore dhe ajo qendrore, si dhe zvogëlimi i siperfaqes së tyre me vendime arbitrare.

“Janë një sërë sfidash dhe ne patjetër duhet të kthejmë vëmendjen, të reagojmë, të përshtatemi, të marrim masa që të paktën t’i zbusim këto sfida. Jo vetëm institucionet shtetërore, por të gjithë ne si organizata, institucionet e biznesit që preken direkt në ekonominë e tyre me investimet që kanë bërë ndër vite në këto territore. Të reagojmë së bashku dhe të gjejmë një rrugë që ta lehtësojmë sa më shumë këtë sfidë”.

Në mesin e këtij muaji, pritet të diskutohet në parlament projektligji për ndryshime në ligjin e zonave të mbrojtura, për t’u dhënë të drejtën bashkive për të menaxhuar 20 përqind të sipërfaqes së këtyre zonave, projektligj që është kundërshtuar nga shoqatat mjedisore pasi rrezikon shndërrimin e këtyre zonave në zona ndërtimore për interesa të bisnesit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat