Përmirësohet moti, problem ngricat në zonat me borë

Shqipëria

Përmirësohet moti, problem ngricat në zonat me borë

Më: 21 janar 2024 Në ora: 08:59
Ndërpriten reshjet, autoritetet rekomandojnë lëvizjen me goma dimërore në disa akse

Mëngjesi i sotëm ka sjellë përmirësim të motit në pjesën më të madhe të vendit. Reshjet e shiut janë ndërprerë gjatë orëve të natës, ndërsa në zonat ku dje pati reshje bore problematike janë ngricat e krijuara, për shkak edhe të uljes së temperaturave.

Dibra ishte një nga qarqet ku trashësia e borës kaloi 25 cm. Sipas raportimeve, pas ndërprerjes së reshjeve të dëborës, janë ulur ndjeshëm temperaturat në këtë qark. Në orët e para të mëngjesit termometri ka shënuar -7° Celsius në qytetin e Peshkopisë, ndërsa në Kalanë e Dodës -13° si pasojë e erës së fortë. Rrugët janë të ngrira dhe ka një reduktim të ndjeshëm të lëvizjes.

Ndërprerja e reshjeve u ka dhënë kohë mjeteve borëpastruese të avancojnë në hapjen dhe kriposjen e tyre.

Rruga Peshkopi-Bulqizë-Klos është e kalueshme, ndërsa policia vijon të mbajë të bllokuar segmentin e Rrugës së Arbrit nga rreth rrotullimi i Klosit drejt Qafës së Murrizit, derisa kripa e hedhur të shkrijë akullin që ka shtresëzuar në asfalt. Kalimi deri në një njoftim të dytë do të bëhet në rrugën e vjetër, nga Burreli.

Aksi Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës i kalueshëm me zinxhirë, ka pasur probleme në një segment nga Qafë Kalaja drejt Vasies, për shkak të erës së fortë.

Aksi Ura e Çerenecit-Librazhd është i kalueshëm me zinxhirë deri në Njësinë Administrative Ostren, ndërsa më tej është e bllokuar.

Janë hapur një pjesë e rrugëve të njësive Administrative, më të afërta me qytetin, ndërsa vijojnë të jenë të bllokuara shumë prej tyre.

Në Bashkitë Dibër, Bulqizë dhe Klos të cilat kanë qenë më të goditura nga moti i keq, nuk ka pasur probleme me energjinë elektrike.

Nga spitali Rajonal Dibër bëhet e ditur se nuk ka pasur asnjë rast emergjence, apo thirrje për ndihmë nga zonat e thella.

Zonat e thella malore vijojnë të kenë problematika me ndërprerjen e energjisë elektrike në qarqet e Shkodrës, Kukësit.

Shqetësuese  janë ngricat edhe në disa akse në qarkun e Korçës, për shkak të temperaturave disa gradë nën zero. Autoritetet rekomandojnë lëvizjen me goma dimërore për drejtuesit e automjeteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat