Shqipëri, rifillimi i punës së Komisionit të Reformës zgjedhore nxit polemikat brenda opozitës

Shqipëria

Shqipëri, rifillimi i punës së Komisionit të Reformës zgjedhore nxit polemikat brenda opozitës

Më: 16 janar 2024 Në ora: 23:36
Foto ilustrim

Në Shqipëri, njoftimi për rinisjen e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore, pas thuajse gati dy vitesh në vendnumëro, u shoqërua të martën me polemika të shumta, kryesisht në gjirin e opozitës. Zyrtarisht, në krah të socialistit Damian Gjiknuri, bashkëkryetari tjetër i Komisionit, rezulton deputeti Enkelejd Alibeaj, i Partisë Demokratike të drejtuar nga zoti Lulzim Basha. Një përpjekje e disa muajve më parë e grupimit të deputeteve që mbështesin kreun e grupit parlamentar Gazmend Bardhi dhe e atyre që përkrahin ish kryeministrin Sali Berisha, për zëvendësimin e zotit Alibeaj me deputetin Oerd Bylykbashi, dështoi pasi shumica e rrëzoi këtë kërkesë. Vendimi i parlamentit për ngritjen e Komisionit të Refromës Zgjedhore parashikon se bashkëkryetarët caktohen nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Zyrtarisht, sigla e Partisë Demokratike i njihet zotit Basha, ndërsa konflikti mes palëve, është ende në proces gjyqësor.

Dy bashkëkryetarët Gjiknuri dhe Alibeaj ju drejtuan një ditë më parë me një letër OSBE-së për të kërkuar mbështetjen e punës së Komisionit me ekspertë të ODIHR-it, ndërsa të premten është lajmëruar mbledhja e Komisionit. Sot ata patën dhe takime të veçanta me ambasadoren në detyrë të Prezencës së OSBE/ODIHR-it në Shqipëri, Clarisse Pasztory. Në një postim në rrjetet sociale pas takimit, përfaqësuesi socialist Gjknuri u shpreh se synimi i Komsionit është përfshirja “në ligjin elektoral, të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”. Sipas zotit Gjiknuri, mbështetja dhe ekspertiza e OSBE/ODIHR-it “do të ndihmojë komisionin për të arritur zgjidhjet e duhura teknike në funksion të adresimit të plotë të rekomandimeve”.

Ndërsa zoti Alibeaj nga ana e tij theksoi se “për Partinë Demokratike të Shqipërisë, reforma zgjedhore përbën prioritetin kryesor i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent për shqiptarët, në mënyrë që t’i garantohet qytetarëve shqiptarë një proces zgjedhor i lirë dhe i drejtë” shkruajti zoti Alibeaj, duke vënë në dukje se një gjë e tillë mund të garantohet nga propozimet e PD-së për “lista të hapura, një zonë kombëtare zgjedhore, votim për qytetarët shqiptarë në diasporë dhe proces votimi dhe numërimi elektronik”.

Duke komentuar takimet me dy bashkëkryetarët e Komisionit të reformës zgjedhore, drejtuesja e Prezencës së OSBE-së mirëpriti “rifillimin e punës përmbajtësore të premten, dhe përshpejtimin e saj javët e ardhshme, me ndihmë dhe ekspertizë nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe OSBE/ODIHR. Do të vazhdojmë takimet gjithëpërfshirëse për këtë reformë të rëndësishme, gjatë ditëve në vijim”, u shpreh ajo.

Pak ditë më parë ndërsa shprehej ngërçin që ka shoqëruar Komisionin e posaçëm, kryeministri Edi Rama, ishte shprehur se “ka një afat komisioni, do mbarojë afati i komisionit dhe do bëjmë edhe pa komision. Se komisioni është një komision që vjen si rezultat i një tradite të krijuar bipartizane. Komisioni nuk është një normë ndërkombëtare, nuk është as dhe një normë europiane. Mbase ka ardhur koha që edhe tradita e komisioneve bipartizane të mbarojë duke mbajtur shënim faktin që nuk ka më dy palë, por ka shumë dhe nuk jemi të detyruar ta bëjmë kështu në këtë formë, nuk na detyron askush. Tradita ka funksionuar për sa ka funksionuar, por sot nuk ka më asnjë shenjë të asaj tradite. Kështu që e kemi parë që ky nuk është fundi i botës. Sigurisht, do donim të ishte, por në qoftë se nuk është kështu do gjejmë rrugët e tjera por nuk do lëmë vendin pa reformë dhe nuk do e lëmë Shqipërinë pa zgjedhje, nuk diskutohet”.

Por një ditë më parë, ishte zoti Basha, ai që paralajmëroi rifillimin e punës së Komisionit të posaçëm. Ai tha se “në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, përfaqësuesit e të cilit dëshiroj t’i falenderoj, ia kemi dalë të marrim një hap të parë modest sa i përket prioritetit kryesor për largimin e papërgjegjshmërisë politike nga skena politike përmes Reformës Zgjedhore. Dhe të paktën për momentin duhet që në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, Partia Demokratike si udhëheqëse e këtij procesi në kuptimin thelbësor të fjalës ia ka dalë që të bindë palën tjetër për të nisur punën për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore”.

Deklarata e tij u interpretua si angazhim i faktorit ndërkombëtar, për të bërë të mundur që palët të uleshin sërish së bashku. Mediat shqiptare pyetën gjatë ditës si ambasadën amerikane ashtu dhe Delegacionin e Bashkimit europian nëse kishin ndërmjetësuar mes PS-së dhe PD-së, por ato e mohuan të kishin patur një rol të tillë. Ndërsa nga Gjirokastra kreu i Delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato u shpreh se “për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që Shqipëria të ndjekë rekomandimet e misionit të OSBE-ODHIR. Dhe ju duhet ta bëni këtë reformë nëpërmjet një dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Mendoj se reforma elektorale është një çështje që i përket të gjithëve, nuk i përket vetëm shumicës apo vetëm opozitës”.

Reagimet e përfaqësive diplomatike, u duartrokitën nga pjesa e demokratëve që janë kundër zotit Basha, të cilët e shohin rifillimin e punës së Komisionit të reformës zgjedhore si “një pazar” me kryeministrin Rama. Zoti Basha nga ana e tij përsëriti sot “mirënjohjen për mbështetjen që partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA-të, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar si edhe OSBE-ODIHR i japin procesit të reformës zgjedhore në Shqipëri. Falë edhe kësaj mbështetje, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të nisë punën së shpejti”, u shpreh ai në një postim në rrjetet sociale.

Por sipas Oerd Bylykbashit “Komisioni i reformës zgjedhore është bipartizan dhe konsensual vetëm nëse reflekton raportet reale të forcave politike në mazhorancë dhe opozitë, vetëm nëse Partia Demokratike, përfaqësuesja reale e shumicës dërrmuese të votuesve opozitarë, zotëron bashkëdrejtimin e komisionit dhe veton që garanton konsensusin real politik mazhorancë-opozitë”, duke konsideruar se Partia e vërtetë demokratike është grupimi i udhëhequr nga zoti Berisha. “Korniza aktuale e komisionit është e barazvlefshme vetëm me një shumicë numerike, siç synon Kryeministri Rama. Sa kohë mazhoranca ruan këtë status quo, ky komision nuk është as gjithëpërfshirës dhe as konsensual dhe përbën një farsë të papranueshme për Partinë Demokratike. Çdo produkt i tij nuk mund të jetë konsensual dhe nuk garanton zgjedhje me standarte”, nënvizoi zoti Bylykbashi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat