Sherret në Tik Tok që agravuan në dhunë e vrasje, disa nga konfliktet më të bujshme

Shqipëria

Sherret në Tik Tok që agravuan në dhunë e vrasje, disa nga konfliktet më të bujshme

Më: 6 janar 2024 Në ora: 16:51
Foto ilustrim

Rrjetet sociale janë kthyer prej kohësh në një problem shqetësues për shoqërinë, ku shpesh kthehen edhe në “terren” për zhvillimin e sherreve e konflikteve, që kanë përfunduar deri në vrasje.

Rasti më i freskët është rasti i vetëvrasajes së 41-vjeçares Bedrie Loka në Durrës, pas bullizimit që i bëhej përmes një llogarie me emrin e saj në “Tik Tok”.

Por konfliktet e lindura në rrjetet sociale janë të shumta, disa prej të cilëve kanë përfunduar edhe me viktima.

Disa nga konfliktet më të bujshme në rrjetet sociale:

Një nga konfliktet më të njohura në rrjetet sociale është ai mes dy reperave, Keviol Ahmetit, i njohur si Kllevio dhe Rigels Rajkut, i njohur si Noizy. Pas një sherri në rrugë, ku në 6 qershor 2022 Cllevio u rrah nga Noizy dhe pjesëtarë të grupit para lokalit të tij në Durrës, në shenjë hakmarrjeje vendosën një sasi tritoli në lokalin e Rigels Rajkut në Durrës. Tritoli dyshohet se u vendos nga shoku i Keviol Ahmetit, Laert Haxhiu, i cili është një personazh i njohur i botës së krimit, që akuzohet për disa vrasje.

Po ashtu, Keviol Ahmeti rezulton të jetë porositës edhe i zjarrëvënies së makinës së Noizyt dhe i asaj të personazhit të njohur të rrjeteve sociale, Kozak Braçit, në 2 dhjetor 2023. Edhe kjo ngjarje ka si zanafillë konfliktin e lindur pas daljeve live në Tik Tok.

Një tjetër ngjarje që e ka pikënisjen nga Tik Tok është plagosja e dyfishtë në Durrës, në 14 prill 2023, Klajdi Mancaku qëlloi me armë zjarri në drejtim të 3 personave, Mario Vrionit, Jurgen Vrionit dhe Arben Haxhiut. Të plagosur mbetën dy të fundit. Gjithçka dyshohet se ndodhi si pasojë e një sherri verbal në Tik Tok lidhur me muzikën që krijonin 3 të rinjtë.

Po ashtu edhe vrasja e të riut Vilson Tafçiu në zonën e Astirit në Tiranë, më 20 janar 2020, dyshohet të ketë ardhur për shkak të një sherri i cili agravoi pas postimit të fotos së një vajze në Instagram, me të cilën viktima pretendonte se ishte i lidhur. I riu Vilson Tafçiu u vra nga Noel Dishi, i cili dyshohet të ketë qenë shok i tij, por marrëdhëniet e tyre ishin prishur për shkak të një vajze.

Në 16 maj 2023, një 15-vjeçar mbeti i vdekur dhe bashkëmoshatari i tij u plagos në Gramsh, pas një sherri me thika. Sherri dyshohet se kishte nisur fillimisht me komente dhe mesazhe në Tik Tok, të cilat çuan deri në ballafaqimin mes të rinjve dhe vrasjen e Fation Bicit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat