SPAK, 68 procedime penale të regjistruara kryesisht gjatë vitit 2023

Shqipëria

SPAK, 68 procedime penale të regjistruara kryesisht gjatë vitit 2023

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 12:30
Foto ilustrim

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka zhvilluar ditën e sotme një takim informal me gazetarët, duke iu përgjigjur interesimit të përfaqësuesve të mediave për çështje të ndryshme.

Në këtë aspekt, Dumani bëri të ditur se gjatë vitit 2023, SPAK ka regjistruar kryesisht 68 procedime penale, duke marrë indicie nga mediat, deklarata publike të aktorëve politikëve por dhe nga burimet e BKH-së. Kjo shifër ka shënuar rritje gjatë këtij viti.

Kreu i SPAK është pyetur edhe për inceneratorin e Tiranës, ku ka thënë se “janë duke u hetuar të gjithë personat që kanë pasur vendimmarrje në këtë çështje”.

Gazetarja e Klan News Glidona Daci raportoi se sa i përket ish-zv/Kryeministrit Arben Ahmetaj nëse është lokalizuar në cilin shtet ndodhet, Dumani tha se “ky është një informacion sekret sepse hetimet për Ahmetajn dhe persona të tjerë po vijojnë”.

Duke u ndaluar te numri i lartë i policëve që dalin të përfshirë në ngjarje kriminale dhe që janë zbuluar pas komunikimeve në aplikacionet e koduara, tashmë të zbërthyera, Altin Dumani theksoi se: “Të përdorësh Sky ECC dhe Ecrochat nuk është shkelje e ligjit por përmbajtja e komunikimeve. Këto të fundit kur gërshëtohen me prova të tjera atëherë mund të përdoren nga prokuroria. Numri i policëve që dalin në Sky nuk është ajo shifër që qarkullon në media”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat