Riaktivizohet zjarri/ Flakët përpijnë katin e katërt të qendrës tregtare në Lushnje

Shqipëria

Riaktivizohet zjarri/ Flakët përpijnë katin e katërt të qendrës tregtare në Lushnje

Më: 25 dhjetor 2023 Në ora: 18:17 Përditësuar në ora: 23:30 më 25.12.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

Flakët përpijnë katin e katërt të qendrës tregtare në Lushnje, zjarri merr përmasa të mëdha

Ndonëse prej orësh zjarrfikësit po punonin për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit në qendrën tregtare në Lushnje, gjatë mbrëmjes flakët janë riaktivizuar, duke përpirë katin e katërt. Këto janë pamjet që sjell nga vendi i ngjarjes gazetarja Anila Sefa.

Flakët kanë shkrumbuar të gjithë këtë kat, duke bërë që e gjithë fasada të shkrihet dhe të bjerë edhe një pjesë e soletës. Pikërisht në këtë kat dyshohet se ishte dhe vendi ku nisi zjarri rreth orës 14:40 të kësaj të hëne duke shkaktuar një operacion masiv.

Një ngjarje e paprecedentë që ka angazhuar forca të shumta zjarrfikëse jo vetëm nga Lushnja e qytetet përreth, por edhe nga Tirana. Gjatë mbrëmjes, gazetarja Anila Sefa raporton se në vendngjarje kanë shkuar edhe 10 mjete të tjera zjarrfikëse.

Zjarrfikësit aktualisht po punojnë nga të gjitha anët në përpjekje për të shuar flakët. Disa prej tyre mësohet se kanë hipur edhe mbi tarracat e pallateve ngjitur. Ndërkohë, banorët e një pallati 5 katësh që ndodhet përballë qendrës mësohet se janë larguar vetë nga banesat e tyre për shkak të rrezikut.

U deshën mbi 3 orë që dy godinat të cilat lidhen me këtë qendër tregtare, të boshatiseshin nga banorët. Problematike situata ishte në njërën prej tyre, aty ku u desh ndërhyrja me vinç nga jashtë dhe e forcave RENEA nga brenda, për të shpëtuar deri në banorin e fundit. Të paktën 42 persona u asfiksuan, mes tyre edhe fëmijë.

Shkaqet e rënies së këtij zjarri masiv mbeten të paqarta dhe pritet që ato të zbardhen nga hetimet.

Situata aktualisht është e rrezikshme pasi mbi katin e katërt të kësaj godine ndodhen apartamente banimi, që përveç dëmit që kanë pësuar tashmë rrezikojnë të digjen tërësisht.

40 persona të nxjerr nga flakët/ Ministrja e Shëndetësisë nga Lushnja: Qytetarët e asfiksuar, jashtë rrezikut për jetën

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka vizituar mbrëmjen e sotme qytetarët të cilët u dërguan për të marrë ndihmën e parë mjekësore në spital pasi u asfiksuan nga zjarri i rënë në një qendër tregtare në Lushnje.

Koçiu deklaroi se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe sipas stafit mjekësor, deri tani nuk ka asnjë rast të rëndë si pasojë e zjarrit të rënë në këtë godinë.

“Sapo kemi vizituar të gjithë qytetarët që iu drejtuan spitalit në Lushnje. Janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë një pune të ekipit të mjekëve. Çdo gjë është nën kontroll, gjendja paraqitet e qetë, qytetarët kanë marrë mjekimet e nevojshme dhe për momentin nuk kanë asnjë shqetësim”, u shpreh Koçiu.

Ministrja Koçiu bëri me dije se “përpara se të vija në spital kam qenë edhe pranë qendrës tregtare”.

“Situata është nën kontroll. Janë evakuuar të gjithë banorët dhe janë forcat e RENEA-s që po kontrollojnë kat më kat. Nga informacionet që kam, të gjithë janë të evakuuar dhe policia e zjarrfikëset janë aty për të vënë situatën nën kontroll”, u shpreh Koçiu.

Ministrja e Shëndetësisë, Koçiu falenderoi dhe shprehu mirënjohje për përpjekjet dhe punën e jashtëzakonshme të efektivëve të Policisë së Shtetit, RENEA-s e zjarrfikësve në përballje me flakët si dhe gatishmërinë e mjekëve dhe infermierëve për të ofruar ndihmë e shpejtë për qytetarët.

Situatë ‘lufte’ në Lushnje, zjarri në qendrën tregtare ngre në këmbë qytetin: Qindra të bllokuar për disa orë, dhjetëra të asfiksuar

Në vendngjarjes forcat të shumta zjarrfikëse dhe krerët e institucioneve më të rëndësishme në vend

Për banorët e qytetarët e shumtë që ndodheshin në këtë godinë 12 katëshe në Lushnje, kjo drekë Krishtlindjesh u kthye padyshim në makth, që vijon tashmë prej 3 orësh.

Pamjet që vijnë nga ky qytet ngjajnë me ato të një situate lufte. Banorë që evakuohen nga dritaret e ballkonet e shtëpive të tyre, zjarrfikës që lenë përgjysmë operacionin për shkak të asfiksisë, ndërsa qytetarë të shumtë shohin nga poshtë godinën 12 katëshe të mbuluar e tëra nga tymi, në ankth për të dashurit e tyre që ndodhen të bllokuar brenda.

Një zjarr i raportuar fillimisht rreth orës 14:30 minuta të kësaj të hëne, u përhap thuajse në të gjithë godinën, duke bllokuar brenda me qindra persona. Në katet e para ndodhet një qendër tregtare, ndërsa katet lart, dy godinat që ndodhen përballë njëra-tjetrës, janë të banuara.

Zjarri që dyshohet se nisi në katin 3 ose 4 të njërës prej godinave, ku ndodhet një restorant bëri që tymi të mbulonte të gjithë godinën. Paniku dhe mungesa e shkallëve të emergjencës e bënë situatën edhe më të vështirë. Shumë banorë mbetën të bllokuar në shtëpitë e tyre, në pamundësi për të dalë jashtë.

Të papërgatitur për një situatë të tillë, në ndihmë të forcave zjarrfikëse të Lushnjes, shkuan kolegë të tyre nga qytetet përreth, por edhe nga Tirana. Po ashtu në vendngjarje janë ambulanca të shumta, shërbime të policisë, ato të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcat speciale RENEA.

Teksa banorët e njërës prej godinave raportohet të jenë evakuuar të gjithë, operacionet vijojnë për t’u siguruar se në godinën tjetër, nuk ka njerëz të bllokuar brenda.

Rreth orës 17:00 një helikopter tentoi të ndërhynte, por pa sukses. Pas shumë përpjekjesh, forcat RENEA mundën të futen nga hyrja qendrore. Të pajisur me mjete të nevojshme për të shpërthyer dyert e blinduara, në përpjekje për t’i hapur për të shpëtuar çdo person që mund të ketë mbetur i bllokuar.

Aktualisht, gazetarja Anila Sefa raporton se në tarracën e njërës prej godinave ka qytetarë të cilët presin ende të evakuohen.

Janë me dhjetëra qytetarët të cilët si pasojë e tymit u asfiksuan, mes tyre fëmijë e të moshuar. Ministria e Shëndetësisë tha se janë 35 persona që po marrin ndihmë mjekësore, 4 prej të cilëve zjarrfikës. Të gjithë ndodhen në spital, fatmirësisht pa rrezik për jetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat