I shpallur në kërkim nga SPAK për pastrim parash, shtyhet seanca e biznesmenit Rezart Taçi

Shqipëria

I shpallur në kërkim nga SPAK për pastrim parash, shtyhet seanca e biznesmenit Rezart Taçi

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 13:08
I shpallur në kërkim nga SPAK për pastrim parash, shtyhet seanca e biznesmenit Rezart Taçi

Seanca gjyqësore në ngarkim të Rezart Taçit, u shty më datë 8 janar në orën 09:00.

Procesi ndaj biznesmenit ishte pezulluar për një vit, për shkak se ai nuk është gjetur për t’u arrestuar në zbatim të një mase sigurie “arrest në burg” dhënë në mungesë ndaj tij. GJKKO e shtyu seancën për shkak të mosnjoftimit të Taçit për procesin. Po ashtu gjykata vendosi të bëjë njoftim me shpallje publike për gjyqin ndaj biznesmenit.

Rezart Taçi po gjykohet në mungesë, nën akuzën “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grup i Strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal”. Taçi u shpall zyrtarisht në kërkim nga SPAK në muajin nëntor të vitit 2021.

Taçi në bashkëpunim me katër shtetas italianë, Artur Ballën dhe Bledar Lilon akuzohen për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal. Lidhur me këtë çështje është dënuar kunati i Taçit Bledar Lilo me 11 vite burg dhe truproja i tij Artur Balla me 10 vite burg, pasi u shpallën fajtor për 2 vepra penale.

Lilo dhe Balla ishin dy nga personat më të besuar të Taçit, të cilët transferuan rreth 18 milionë euro në një bankë të nivelit të dytë, para që dyshohet se i përkisnin organizatës Cosa Nostra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat