Hekurudha Durrës-Rrogozhinë, BE jep 62 milionë euro grant për ndërtimin

Shqipëria

Hekurudha Durrës-Rrogozhinë, BE jep 62 milionë euro grant për ndërtimin

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 17:26
Foto ilustrim

Një pjesë e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë do të financohet nga Bashkimi Europian.  Ky i fundit deklaron se ka dërguar në llogari të qeverisë shqiptare, 62 mln euro.

Komisioni Europian ka dhënë 62 milionë euro grant për Shqipërinë, të cilat do të përdoren për ndërtimin e hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII.

Lajmi është komentuar edhe nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku në rrjetet sociale.

“Edhe një herë mbështetja e Bashkimit Europian për vendin tonë është e hapur duke financuar një tjetër projekt të rëndësishëm, për Shqipërinë, por edhe rajonin”,  komentoi Balluku, duke shtuar se vlera e përgjithshme e këtij investimi arrin në 120.5 mln euro.

Segmenti hekurudhor Durrës-Rrogozhinë është pjesë e linjës hekurudhore Durrës – Pogradec, e cila parashikohet të lidhet me Maqedoninë e Veriut pranë fshatit Lin.

Projekti përfshin zgjerimin e trasesë nga Shkozeti në Rrogozhinë, në një gjatësi 33 km, si dhe ndërtimin e urave të reja në përputhje me standardet europiane dhe kushtet gjeologjike-inxhinierike e sizmologjike të zonës së projektit.

Po ashtu parashikohet përmirësimi i trasesë, ngritja e ndërtesave të reja të stacioneve në Golem, Kavajë, Lekaj e Rrogozhinë, si dhe rehabilitimi i trekëndëshit të Shkozetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat