Është arrestuar Arjan Xhaferraj, mjek në Akademinë e Sigurisë Tiranë, pasi akuzohet se kundrejt përfitimeve të paligjshme, lëshonte raporte mjekësore fiktive për kursantët dhe studentët e Akademisë së Sigurisë.
Policia bën me dije gjatë hetimeve të kryera, janë dokumentuar me prova ligjore 45 raste të ndërveprimit korruptiv midis mjekut dhe studentëve/kursantëve, të cilët për të justifikuar mospjesëmarrjen në procesin mësimor, siguronin fiktivisht raportin mjekësor, kundrejt shumave monetare që varionin nga 1000 deri në 2000 lekë.
Gjithashtu është provuar se mjeku i arrestuar kryente falsifikimin e raporteve mjekësore, duke lëshuar raporte mjekësore për studentët në kohë të mëparshme.
Ai gjithashtu i lëshonte raporte mjekësore personave të tretë pa qenë prezent dhe pa kryer vizitën mjekësore.
Për sa më sipër, hetimet vijojnë në gjendje të lirë edhe në ngarkim të 45 studentëve/kursantëve, të cilët me veprimet e tyre të kundraligjshme, dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ai akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, “Fallsifikim i dokumenteve shëndetësore” dhe “Shpërdorim detyre”.