“Miqtë u sollën si armiq, i dhanë Berishës këshillën e gabuar”/ Vangjeli: Do të shkoj të lutem te kisha e Laçit

Shqipëria

“Miqtë u sollën si armiq, i dhanë Berishës këshillën e gabuar”/ Vangjeli: Do të shkoj të lutem te kisha e Laçit

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 23:22
Lorenc Vangjeli

Analisti Lorenc Vangjeli deklaroi në “Top Story” se miqtë e Sali Berishës u sollën si armiq, duke i dhënë atij këshillën e gabuar për hapat që duhet të ndiqte pas akuzave.

Sipas tij ata i kanë rrëfyer ish-kryeministrit rrugën e gabuar në rrugën e përballjes me ligjin.

“E gjithë kjo është një betejë e gabuar, që po luftohet me mjetet e gabuara. Sot ne jemi dëshmitarë të një fakti domethënës që realiteti po e konkurron fantazinë. Ajo që deri dje as nuk e fantazonim, sot po ndodh. Kjo është një konkurrencë që duhet të na bëjë të kuptojmë se gjërat kanë ndryshuar.

Kam përshtypjen se drejt të vërtetës ne mund të arrijmë qoftë edhe duke shpjeguar një nga paradokset që po ndodh tani. Miqtë dhe bashkëpunëtorët e Sali Berishës, i cili zakonisht nuk është njeri që këshillohet, por edhe nëse i kanë folur i kanë dhënë këshillën më të gabuar të mundshme.

Janë sjellë si armiqtë më të ligjtë të tij, në të gjithë këtë histori. I kanë rrëfyer rrugën e gabuar ku duhet të ecte në këtë përballje të tij me ligjin. Në mënyrë paradoksale njeriu më i interesuar që të bëjë avokatin e Berishës është kundërshtari i tij politik, Edi Rama”, tha analisti.

Vangjeli shtoi se do të shkojë të lutet tek kisha e Laçit, që ish-lideri i Shqipërisë të shpallet i pafajshëm.

“Nëse do të mundesha si individ, do të shkoja të lutesha në kishën e Laçit që ai ta fitonte këtë betejë me akuzën dhe drejtësinë. Do të lutesha me shpresën se ish-kryeministri i vendit tim të dalë i pafajshëm”, shtoi më tej ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat