Kryebashkiaku i Memaliajt letër-propozim Ramës: Ofrojmë vende për strehimin e refugjatëve

Shqipëria

Kryebashkiaku i Memaliajt letër-propozim Ramës: Ofrojmë vende për strehimin e refugjatëve

Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 18:37
Albert Malaj

Kryetari i bashkisë së Memaliajt, Albert Malaj pranon se i ka përcjellë një propozim kreut të qeverisë Edi Rama për strehimin e refugjatëve në bashkinë që ai drejton.

Në letër-propozimin e tij, kryebashkiaku Malaj thotë se i ka ofruar kryeministrit dy vende që i mendon të përshtatshme për strehimin e refugjatëve që vijnë nga Italia.

Vendi i parë sipas bashkiakut është një ndërtesë dy katëshe e ish-shkollës 8-vjeçare të Memaliajt që sot e kësaj dite është jashtë funksionit, ndërsa vendi i dytë i propozuar është një ish-spitali i Memaliajt, një godinë tre katëshe.

Të dyja këto ndërtesa ndodhen në brendësi të qytetit. Ndërsa lokacione të tjera mendohet të jenë të hapura në fushë.

Sipas Malajt, tek të dy ndërtesat duhet fillimisht të investohet që të jenë të përshtatshme për t’u akomoduar refugjatët. E ndërsa kjo bashki nuk ka kapacitet financiar për t’i ndryshuar fizikisht, Malaj ka kërkuar vlerësimin e kushteve akomoduese dhe investuese nga qeveria shqiptare.

Kapaciteti total akomodues vlerësohet diku tek 1000. Kryebashkiaku i Memaliajt shprehet se këtë iniciativë dhe vetëofrim për strehimin e refugjatëve, e ka të bazuar në eksperiencën e vet personale pasi si ish ushtarak që ka shërbyer në Forcat e Armatosura të Shqipërisë në misionet jashtë vendit si ne Afganistan apo dhe zona me konflikte, ka përballuar dhe menaxhuar flukse të tilla refugjatësh. Memaliaj, ka eksperiencën e saj pritëse dhe akomoduese qysh prej vitit 1999 kur ka pritur me mijëra kosovarë në kohën e luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat