Opozita në Shqipëri njoftoi se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për emigrantët

Shqipëria

Opozita në Shqipëri njoftoi se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për emigrantët

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 10:43
Kuvendi i Shqipërisë

Deputetët opozitarë në Shqipëri kanë bërë me dije se do të çojnë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për emigrantët.

Lajmin e ka bërë me dije drejtuesi politik kryesor i opozitës, Sali Berisha, pas një mbledhje të bërë me Grupin Parlamentar demokrat, në selinë e Kuvendit.

“Ju e dini që jemi në dinamizëm të vazhdueshëm dhe ju mbajmë korent çdo ditë”, përshkroi fillimisht Berisha për gazetarët. “Për sa i përket marrëveshjes së emigrantëve, do të përgatitet teksti dhe do të dërgohet në Kushtetuese”.

Sipas tij, i gjithë aksioni opozitar ka pasur një arritje të jashtëzakonshme në muajin e fundit dhe aksioni nuk do të ndalet.

Ndaj, është vendosur nga grupi i PD-së së Berishës se beteja në Parlament do të mbetet e njëjtë, duke përmendur bllokimin me forcë të seancave plenare dhe komisioneve parlamentare.

Duke u rikthyer në marrëveshjen e emigrantëve, Berisha sintetizoi se demokratët mendojnë se ka një shkelje serioze të Kushtetutës dhe ajo lidhet me firmën e kryeministrit, Edi Rama.

“Mendojmë se ka probleme serioze të të drejtave të njeriut, ndaj dhe duke mbajtur qëndrimin tonë negativ, opozita do ti drejtohet gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen. Ndërsa qëndrimi i Edi Ramës dhe Linda e parlamentit, është më antidemokratik, antiligjor, antikushtetues që është mbajtur ndonjëherë. Beteja vazhdon pa kthim”.

Nga ana tjetër, kreu parlamentar i këtij grupimi, Gazment Bardhi, pranoi se një grup deputetësh nuk ishte dakord që çështja të shkojë në Kushtetuese. Por, parimisht, në shumicë, ata ranë dakord që të merret një vendim i tillë.

Këshilli i Ministrave miraton marrëveshjen e emigrantëve

Këshilli shqiptar i Ministrave ka miratuar të mërkurën e 15 nëntorit marrëveshjen me Italinë, sa i takon çështjes së emigracionit, ku pritet që përmes një strukture akomoduese në Gjadër të Lezhës, mund të trajtohen sipas ligjit dhe nga autoritetet italiane, deri në 36 mijë emigrantë të jashtëligjshëm në vit.

Me anë të këtij vendimit të marrë nga numri dy i qeverisë, Belinda Balluku faktohet ngritja e qendrës së pritjes së emigrantëve nga Afrika në zonën e Shëngjinit.

Pas miratimit në qeveri, marrëveshja pritet të shkojë për ratifikim në Parlament. Gjë kjo, e cila me gjasë, duke parë situatën parlamentare në Shqipëri javët e fundit (përmendim bllokimin që opozita kërkon t’i bëjë punimeve), mundet të kalojë me votat e shumicës edhe pa debat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat