Projektbuxheti/ Ja kategoritë do të përfitojnë rritje pagash vitin e ardhshëm

Shqipëria

Projektbuxheti/ Ja kategoritë do të përfitojnë rritje pagash vitin e ardhshëm

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 10:35
Foto ilustrim

Rreth 36 mijë punonjës arsimorë do të përfitojnë shtesë mbi pagë vitin e ardhshëm.

Premtimi është bërë e po ashtu edhe parashikuar në projektbuxhetin e 2024.

Bëhet fjalë për një përqindje të konsiderueshme, sipas kryeministrit dhe që në projektbuxhetin e publikuar varion nga 23 deri në 36 për qind.

“Dhe me lajmin e mirë se me buxhetin e ri për vitin e ardhshëm do të ketë një rritje domethënëse të pagave për mbi 30 mijë mësues, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruante kreu i qeverisë Edi Rama, dje në rrjete sociale. Por në fakt, këtë plan financiar e ka bërë të ditur që në muajt e parë të vitit 2023. Duke folur në një takim me mësuesit, Rama shpalosi plani e shtesave mbi pagë për arsimtarët duke folur me gjuhën e shifrave.

“Nëse sot që flasim rritja mujore do të jetë 3500 për mësuesit e shkollave 9-vjeçare, 3843 për mësuesit e shkollave të mesme dhe 5800 për drejtuesit, që të bërtasin më shumë. Tek rritja e përgjithshme, mësuesit në shkollën 9- vjeçare do të kenë një pagë 95 550, ndërsa mësuesit në shkollën e mesme 106 800 lekë”, nënvizoi kryeministri duke bërë publike pagat e 2024-ës për mësues e drejtues shkollash.

E njëjta gjë është parashkruar edhe në projektbuxhetin e zbardhur këto ditë. Në fakt, nuk do të jenë vetëm mësuesit, por edhe punonjësit e sistemit shëndetësor dhe ata me grada (policë e ushtarakë) që vitin e ardhshëm do të kenë më shumë të ardhura në llogari. Përqindja është thuajse e njëjtë për të gjithë, por shtesa do të reflektohet edhe në varësi të kualifikimeve, vjetërsisë në punë e pozicionit. Rritja e fundit e pagave të mësuesve është bërë në muajin prill, kur u rritën të gjithë pagat e administratës, por që ishte në një masë të papërfillshme, vetëm 7 për qind.

Qeveria ka caktuar gjashtë prioritete në arsim duke iu dhënë zë reformave të nisura, mbështetjes së arsimit bazë, kurrikulave të bazuara në kërkesën e tregut të punës dhe zhvillimin profesional të mësuesve. Rritja e numrit të fëmijëve që ndjekin arsimin parashkollor si dhe përfshirja në klasën përgatitore është qëllimi i parë, ndjekur nga sigurimi i shërbimit të transportit dhe mbulimin e shpenzimeve për mësues e nxënës që jetojnë larg shkollave.

Tekstet shkollore falas do të jepen për afro 252 mijë nxënës të ciklit 9-vjeçar si dhe nxënës të shtresave në nevojë që ndjekin gjimnazin; bursat financiare për nxënësit me nevoja të veçanta, projekti i smart-labeve dhe ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë janë të tjera prioritete ku do të kanalizohen fondet e qeverisë për arsimin dy vitet në vijim.

Në buxhetin e vitit të ardhshëm, nxënësit e arsimit profesional e studentët do të kenë një zë të veçantë.

“Përgjatë 2024-2026 synohet ofrimi i formimit profesional cilësor për të rinjtë dhe të rriturit, në përputhje me kërkesat e tregut të punës, rritja e mundësisë për të nxënit gjatë gjithë jetës si për burrat dhe për gratë dhe përshtatja me mundësitë e punësimit të ofruara nga tregu i punës; Kështu të rinjtë që nuk janë në punësim, arsim ose formim profesional, janë një nga kategoritë më vulnerabël e të rinjve. Për të trajtuar këtë kategori është parashikuar futja e skemës së garancisë rinore, si pjesë e iniciativës së BE-së në Ballkanin Perëndimor e cila pritet të ketë rezultate pozitive në rritjen e punësimit për këtë kategori”, citohet në relacionin e projektbuxhetit, i cili parashikon ndihmë që do të jepet në formën e Garancisë Rinore.

Ky mekanizëm është një angazhim nga të gjitha vendet e BE për të siguruar të rinjtë nga 16-29 vjeç të marrin një ofertë cilësore brenda një periudhe 4 mujore të regjistrimit si punëkërkues të papunë ose të braktisjes së arsimit formal. Nëpërmjet kësaj skeme është parashikuar të mbështeten mesatarisht 800 të rinjtë shqiptarë çdo vit, përgjatë 2024-2026.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat