Nga goditjet e ekonomisë te shtytja e re e FMN-së/ Zbardhet raporti i guvernatorit Sejko për mbledhjet vjetore

Shqipëria

Nga goditjet e ekonomisë te shtytja e re e FMN-së/ Zbardhet raporti i guvernatorit Sejko për mbledhjet vjetore

Më: 15 tetor 2023 Në ora: 12:35
Foto ilustrim

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka bërë një deklaratë për Mbledhjet Vjetore, për të siguruar një mjedis optimal për një ekonomi globale të gjelbër dhe të barabartë të të gjithëve brezave të sotëm dhe atyre të ardhshëm.

Ndër të tjera, ai ka thënë se ekonomia globale, deri më sot, ka treguar një rezistencë të admirueshme ndaj goditjeve të gjeneruara fillimisht nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Ai ka theksuar se normat e inflacionit bazë mbeten vazhdimisht të larta, tregjet e punës janë të shtrënguara, rritja e pagave është jashtëzakonisht e lartë dhe ka një ritëm të ri në rritje të çmimeve të mallrave kryesorë.

Sakaq, Sejko mbështet plotësisht shtytjen e re të ndërmarrë nga FMN-ja drejt fuqizimit të Rrjetit Global të Sigurisë Financiare (RrGSF), pasi ky rrjet do të provojë të jetë i dobishëm në frenimin e paqëndrueshmërive të pakëndshme ekonomike dhe financiare në nivel global.

Deklarata e plotë e Sejkos:

Ekonomia globale, deri më sot, ka treguar një rezistencë të admirueshme ndaj goditjeve të forta të pavaforshme të gjeneruara fillimisht nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Efektet e zgajtura të këtij agresioni çuan në presione inflacioniste të përshpejtuara, ndërsa nxitën një shtrëngim të shpejtë të politikës monetare, e cila, nga ana tjetër, çoi në një rritje ekonomikë të ndrydhur, ndërsa u ekspozuan apo përkeqësuan dobësitë ekzistuese.

Inflacioni global ka pasur një prirje rënëse gjatë tremujorëve të fundit. Megjithatë, e ardhmja mbetet e pasigurt. Ndërsa cikli shtrëngues i politikës monetare duket se po i afrohet kulmit të tij, normat e inflacionit bazë mbeten vazhdimisht të larta, tregjet e punës janë të shtrënguara, rritja e pagave është jashtëzakonisht e lartë dhe ka një ritëm të ri në rritje të çmimeve të mallrave kryesorë. Nga ana tjetër, rritja ekonomike globale mbetet e ndrydhur dhe e pabarabartë në të gjitha vendet. Për më tepër, qëndrueshmëria ekonomike dhe sociale ndaj goditjeve të tjera është ulur në mënyrë të konsiderueshme.

Kjo panoramë e ndërlikuar kërkon ndjekjen e një akti delikat balancues nga politikë-bërësit ekonomikë, veçanërisht nga bankat qendrore. Ne duhet të vijojmë t’i japim përparësi stabilitetit të çmimeve përmes veprimeve të vendosura të politikave, ndërsa duhet të jemi të vëmendshëm përkundrejt ndikimit të tij të dëmshëm ciklik dhe strukturor, shoqëruar me ndikimin e tij të pavavorshëm në stabilitetin financiar. Deri më sot, sistemi financiar paraqitet gjerësisht i qëndrueshëm, duke përfituar nga një dekade reformash strukturore që kanë për qëllim reduktimin e dobësive të tij.  Megjithatë, nevojitet vigjilencë e vazhdueshme, si në nivel global dhe në nivel vendi specifik, për të shmangur rreziqet e mundshme sistemike. Kjo është ende dhe më e rëndësishme në një kohë kur shtesat fiskale janë tashmë të pakta, pas një përpjekjeje të vendosur kundërciklike menjëherë pas përhapjes së pandemisë.

Përkundrejt kësaj panorame, unë mbështes plotësisht vlerësimin aktual dhe përshkrimin e politikës të Fondi Monetar Ndërkombëtar. Për më tepër, mbështes plotësisht shtytjen e re të ndërmarrë nga FMN-ja drejt fuqizimit të Rrjetit Global të Sigurisë Financiare (RrGSF).  Besoj se ky rrjet do të provojë të jetë i dobishëm në frenimin e paqëndrueshmërive të pakëndshme ekonomike dhe financiare në nivel global. Ri-dhënia e përparësisë të reduktimit të borxhit publik në agjendë është element i rëndësishëm dhe hapi i parë i duhur drejt zbutjes së këtyre dobësive të mundshme.

Shqipëria nuk ka qenë imune (e mbrojtur) ndaj tendencave të fundit të goditjeve të pafavorshme ekonomike globale. Inflacioni filloi të rritet në fund të vitit 2021, u përshpejtua me shpjetësi me shpërthimin e agresionit të Rusisë në Ukrainë, arriti kulmin në tetor 2022 dhe filloi të ngadalësohej gradualisht më pas. Në një mjedis makroekonomik, i karakterizuar nga një rritje ciklike, një treg i shtrënguar i punës – i cili është reflektuar në normë të ulët të papunësisë dhe rritje të shpejtë të pagave – goditja fillestare çmimeve u përhap në të gjithë kategoritë e çmimeve dhe inflacioni bazë i rrit në nivele të pazakonta.

Banka e Shqipërisë nisi procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, duke filluar nga marsi i vitit 2022. Ky normalizim u realizua nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit, nga minimumi prej 0.50% në fillim të vitit 2022, në nivelin 3.00% në mars të vitit 2023. Ky proces ishte i mbështetur plotësisht në të dhëna, ishte transparent dhe ju komunikua në mënyrë efektive aktorëve vendas. Aktualisht, norma bazë e interesit është e ulët krahasuar me vendet e rajonit dhe ato të BE-së të pranishme në këtë panel, por ajo reflekton një normë më të ulët të inflacionit të përgjithshëm, mesatarisht 6.7% në 2022 dhe 5.2% deri më sot, në 2023. Ndryshimet në nivelet e inflacionit janë rezultat të një çmimi fiks të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe një forcimi të shpejtë të monedhës vendase, me 2.8% në 2022 dhe 8.0% deri tani në 2023. Bilancet e shkëmbimeve tregtare me jashtë të Shqipërisë janë përmirësuar ndjeshëm, veçanërisht në vitin 2023, si rezultat i ecurisë mjaft të mirë të sezonit turistik dhe të një fluksi hyrës të qëndrueshëm të Investimeve të Huaja Direkte. Forcimi i monedhës vendase ka mundësuar më shumë hapësirë për një zbatim gradual të shtrëngimit të politikës monetare, pasi ky forcim i monedhës ka shërbyer për t’u mbrojtur nga ndikimi i inflacionit të huaj. Parashikimet tona më të fundit tregojnë për një reduktim gradual të inflacionit, me një kthim në objektivin tonë prej 3 për qind që pritet nga mesi i vitit 2024. Kjo trajektore faktorizon një lehtësim më gradual të presioneve bazë inflacioniste dhe një trajektore më të përmbajtur të rritjes ekonomike.

Politikat makroekonomike pritet të mbeten të harmonizuara dhe të punojnë së bashku për të siguruar rritje ekonomike të qëndrueshme në periudhën afatmesme dhe mjedis inflacioni të ulët e të parashikueshëm. Politika fiskale duhet të përpiqet të shmangë shtimin e presioneve tashmë të larta të kërkesës dhe të ruajë drejtimin konsolidues. Sistemi financiar ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, falë përpjekjeve të mëparshme të reformave, të cilat kanë përmirësuar kuadrin rregullator dhe kanë reduktuar dobësitë. Pavarësisht kësaj, ne jemi të vëmendshëm ndaj dobësive të mundshme që mund të lindin për shkak të: një mjedisi me norma të larta interesi; rënies së fuqisë blerëse të familjeve; dhe veprimtarie me intensitet të  dobët.

Rëndësia e harmonizimit dhe koordinimit të politikave, si në nivel kombëtar ashtu dhe në nivel ndërkombëtar, është parakusht për të siguruar një mjedis optimal për një ekonomi globale të gjelbër, të barabartë dhe të begatë në dobi të të gjithëve: brezave të sotëm dhe atyre të ardhshëm.

Për këtë qëllim, dëshiroj të ri-sjell në vëmendje rolin jetik që luajnë FMN-ja dhe Banka Botërore, pasi ato ndihmojnë të kanalizojmë fokusin tonë nga sfidat imediate që kemi para në çështje ekzistenciale globale, të cilat do të kenë ndikim tek të gjithë ne, nëse nuk parandalohen dhe trajtohen siç duhet dhe në kohë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat