​FMN përmirëson parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 3.6%

Shqipëria

​FMN përmirëson parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 3.6%

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 17:08
Foto ilustrim

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në pasqyrën e fundit globale, publikuar të martën, ka rritur me 1.4 pikë përqindje parashikimin për ecurinë ekonomike të Shqipërisë.

Raporti i FMN-në publikuar në tetor, vlerëson se ekonomia shqiptare në vitin 2023 pritet që të zgjerohet me 3.6 %.

Ndërkohë që në raportin e muajit prill, rritja ekonomike për vitin 2023 vlerësohej se do të ishte 2.2 %, për t’u përshpejtuar në 3.3 % në 2024 dhe për të mbetur rreth këtyre niveleve deri në vitin 2028.

Për 2024 FMN i qëndron vlerësimeve të prillit, për një rritje prej 3.3 % që do të përmirësohet lehtë në 3.5 % deri në vitin 2028. FMN e bëri rishikimin në përputhje me vlerësimet e reja, ku edhe për vitin 2022 rritja rezultoi në 4.8 %, nga 3.7 % që ishte vlerësimi fillestar.

Ndërkohë sipas INSTAT, në tremujorin e parë dhe të dytë të këtij viti, ekonomia shqiptare u rrit përkatësisht me 2.83 % dhe 3.23 %, e nxitur kryesisht nga ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme. Rritja pritet të përshpejtohet në muajt në vijim, e nxitur dhe nga ecuria e mirë e turizmit.

Lidhur me inflacionin mesatar, FMN parashikon të jetë këtë vit në nivelin 3.8 %, teksa në raportin e prillit, inflacioni mesatar pritej në 3.9 %.

Duke u ndalur në zhvillimet globale, FMN-ja parashikon që ekonomia globale do të vazhdojë të rimëkëmbet ngadalë nga goditjet e pandemisë, pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe kriza e kostos së jetesës.

“Pavarësisht nga problematikat në tregjet e energjisë dhe ushqimit të shkaktuar nga lufta, dhe shtrëngimi i paprecedentë i kushteve monetare globale, si një mjet për të luftuar inflacionin e lartë, ekonomia globale është ngadalësuar, por nuk ka ngecur. Megjithatë, rritja mbetet e ngadaltë dhe e pabarabartë, me divergjenca globale në rritje”, citon FMN.

Sipas parashikimeve më të fundit të FMN-së, rritja globale do të ngadalësohet nga 3,5 për qind në 2022 në 3 për qind këtë vit dhe 2,9 për qind vitin e ardhshëm, një rënie prej 0,1 pikë përqindjeje për vitin 2024 nga parashikimet e fundit të korrikut. Kjo tendencë mbetet shumë nën mesataren historike.

Inflacioni vazhdon të ngadalësohet, nga 9.2 për qind në vitin 2022, në bazë vjetore, në 5.9 për qind këtë vit dhe 4.8 për qind në vitin 2024. Inflacioni bazë, duke përjashtuar çmimet e ushqimeve dhe energjisë, gjithashtu parashikohet të bjerë, megjithëse më gradualisht se inflacioni total, në 4.5 për qind në vitin 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat