Përplasja në PD dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, reagon delegacioni i BE-së në Shqipëri

Shqipëria

Përplasja në PD dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, reagon delegacioni i BE-së në Shqipëri

Më: 21 shtator 2023 Në ora: 11:19
Foto ilustrim

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka folur për debatet në kampin e opozitës dhe përplasjet e tyre për zgjedhjen e kreut të grupit parlamentar.

Ata thonë se besojnë në rëndësinë që ka opozita në funksionimin e institucioneve demokratike, por nuk pranojnë të komentojnë punët e brendshme të partive politike.

Një tjetër temë, e cila është prekur nga delegacioni i BE është zgjedhje e Avokatit të Popullit, proces ky i cili është zvarritur dhe nuk e ka gjetur ende konsensusin mes palëve. Gjithsesi delegacioni thotë se mbështet çdo përpjekje të bërë nga partitë për të zgjedhur Avokatin e Popullit.

“Delegacioni i BE-së beson në rëndësinë vendimtare të opozitës për funksionimin e institucioneve demokratike. Megjithatë, Delegacioni i BE-së nuk komenton dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të partive politike. Në rastin konkret, Delegacioni i BE-së nuk ka diskutuar me anëtarët e opozitës për çështjen e papërfunduar të zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga parlamenti. Delegacioni i BE-së mbështet plotësisht çdo përpjekje të ndërmarrë për finalizimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, një tjetër hap i rëndësishëm për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE.”, thuhet në reagim.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit, sipas Kushtetutës kërkon 84 vota, një numër ky që duhet të arrihet me konsensus të plotë mes pozitës dhe opozitës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat