Asgjesohen mbi 10 mijë bimë kanabis në Velipojë, pezullohen nga detyra 4 policë

Shqipëria

Asgjesohen mbi 10 mijë bimë kanabis në Velipojë, pezullohen nga detyra 4 policë

Më: 16 shtator 2023 Në ora: 14:52
Foto ilustrim

Katër punonjës policie janë pezulluar nga detyra në Velipojë me argumentin se nuk kanë përmbushur detyrën pasi mbi 10 mijë bimë narkotike kanabis u gjetën të kultivuara në një fshat.

U pezulluan: shefi i stacionit të policisë Velipojë, njëkohësisht përgjegjës për monitorimin e zonës; një specialist për hetimin e krimeve në zonën ku u gjetën bimët narkotike; një specialist i njësisë “Shqiponja”, përgjegjës i zonës për kontrollin e territorit nga DVP Shkodër; dhe ndihmësspecialist (SPZ) në zonën ku u gjetën bimët narkotike.

Si rezultat, janë gjetur të kultivuara 10 920 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Një pjesë e tyre janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër është asgjësuar nëpërmjet djegies.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë, kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, dhe po punohet për dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë kriminale të tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit vijon hetimin e thelluar administrativ, për nxjerrjen e përgjegjësive lidhur më këtë rast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat