Mbërrijnë në atdhe eshtrat e ish-Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti

Shqipëria

Mbërrijnë në atdhe eshtrat e ish-Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti

Më: 25 gusht 2023 Në ora: 11:12
Ceremonia e rivarrimit të tij do të mbahet në 28 gusht në Shish-Tufinë.

Mbërrijnë në atdhe eshtrat e ish-kryebashkiakut dhe ish-prefektit të Tiranës Qazim Mulleti. Arkivoli me eshtrat e nënpunësit të lartë të shtetit shqiptar në vitet e Luftës së dytë Botërore mbërriti mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit.

Që nga viti 1956, kur Mulleti mbylli sytë në Romë e deri më sot nuk kanë reshtur tentativat e familjarëve për kthimin e tyre në atdhe.

“Që në fillimet e demokracisë, familja jonë nisi përpjekjet për të kthyer eshtrat e Qazim Mulletit, por deri më sot nuk ka qenë e mundur. Fatmirësisht ia arritëm kësaj dite”, tregon mbesa e tij Fatbardha Saraçi Mulleti.

I njohur si antikomunist dhe opozitar me regjimin e Enver Hoxhës, Qazim Mulleti dhe familja e tij u persekutuan përgjatë viteve 45-90 të shekullit të kaluar. I ndarë nga familja e tij, pasi udhëtoi drejt Italisë në vitin 1944, ndërsa gruaja dhe djali mbetën në Shqipëri, Mulleti deri në fund të jetës së tij e pati të pamundur t’i takonte.

Enver Hoxha dhe historiografia komuniste do ta portretizonin si atë si tradhtar, agjent, kriminel dhe prefekti gjakatar. Megjithëse ia kishte falur njëherë jetën Ramiz Alisë, së dënuar me pushkatim, Mulleti dhe familja e tij do të persekutoheshin pikërisht për bindjet e tyre antikomuniste rrëfen nusja e nipit të tij.

Me kthimin e eshtrave në atdhe, për të cilat një kontribut të veçantë dha shoqata “Tirona Intellectum” pritet të nisë rehabilitimi historik i figurës së Mulletit, një personaliteti dhe intelektuali të njohur tiranas, që njihte 8 gjuhë të huaja.

Lidhur me rolin e Mulletit në histori së fundmi ka pasur një sërë diskutimesh për trajtimin që i është bërë kësaj figure ndër të tjera në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës. Debati përfshiu dhe njerëz të medies, historianë e politikanë dhe si pasojë u pezullua rivënia e shfaqjes.

Ceremonia e rivarrimit të tij do të mbahet në 28 gusht në Shish-Tufinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat