Pagesat me e-banking dominojnë transfertat bankare për të dytin tremujor radhazi, rritet pesha e tyre edhe në vlerë

Shqipëria

Pagesat me e-banking dominojnë transfertat bankare për të dytin tremujor radhazi, rritet pesha e tyre edhe në vlerë

Më: 15 gusht 2023 Në ora: 07:35
Foto ilustrim

Veprimet nëpërmjet kanaleve elektronike po kryesojnë në mënyrë të qëndrueshme strukturën e pagesave bankare këtë vit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga rreth 3.3 milionë transferta kreditimi të kryera nga klientët e sektorit bankar, 56% e tyre ose rreth 1.85 milionë veprime në total u kryen në formë jo-letër.

Transfertat në formë jo-letër përfshijnë transferta që kryhen pa praninë fizike të klientit në bankë, nëpërmjet shërbimeve të internet banking dhe mobile banking. Pesha e veprimeve nga kanalet elektronike ishte pothuajse e njëjtë me tremujorin e parë të vitit, kur për herë të parë transfertat në formë jo-letër kaluan ato në formë letër.

Ndërkohë, gjatë tremujorit të dytë të vitit u regjistrua edhe një rritje e peshës specifike të transfertave elektronike në vlerë. Rreth 35% e vlerës së përgjithshme të transfertave u krye nëpërmjet veprimeve të distancë, nga 33% e që kishte qenë pesha e tyre në tremujorin e mëparshëm.

Zhvendosja e transfertave bankare drejt kanaleve elektronike shënon një pikë të rëndësishme kthese në marrëdhënien e publikut shqiptar me shërbimet bankare. Përdorimi i kanaleve online kursen kohë dhe është një zhvillim i rëndësishëm për shmangien e radhëve të klientëve në sportelet e bankave, duke i shfrytëzuar këto sportele vetëm për marrjen e atyre shërbimeve dhe produkteve ku prania fizike është vërtet e domosdoshme.

Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është incentivuar edhe nga Banka e Shqipërisë. Që prej qershorit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision.

Ndërkohë, për shumat më të mëdha transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave. E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jetë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave.

Në fund të vitit 2022, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në 878 mijë, në rritje vjetore me 24%. Vlerësohet se tashmë 28.2% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 23.2% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2021.

90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve. Vitin e kaluar individët shënuan edhe shkallën më të lartë të rritjes së numrit të llogarive të lidhura me internetin, me 25% më shumë. Për sa i përket bizneseve, numri i llogarive të lidhura me internetin u zgjerua me 16%.

Aktualisht, të gjitha bankat tregtare në Shqipëri e ofrojnë shërbimet e bankingut në distance. Kjo nënkupton se çdo klient i sektorit bankar ka në dispozicion një kanal alternativ për kryerjen e pagesave dhe marrjen e shërbimeve të tjera, pa qenë nevoja për shkuar domosdoshmërisht në degë. Dixhitalizimi i shërbimeve bankare është një nga arsyet që kanë sjellë edhe rënie të numrit të degëve të bankave në vitet e fundit.

Ndërkohë, përditësimi i legjislacionit për identifikimin dhe nënshkrimin ën distancë pritet të shtojë numrin e shërbimeve dhe produkteve bankare që do të mund të oforhen në distancë.

Nëpërmjet identifikimit dhe nënshkrimit elektronik, pritet të mundësohet edhe hapja e një depozite apo marrja e një kredie pa qenë nevoja për të shkuar fizikisht në degët e bankave. Praktika të tilla kanë nisur të aplikohen vitet e fundit nga disa banka dhe institucione financiare jobanka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat