“Rama dhe ‘dashuria’ e shtirur për Italinë!”, deputeti i PD: Prej 2013 nuk ka ndërtuar asgjë reale me partnerin tonë strategjik

Shqipëria

“Rama dhe ‘dashuria’ e shtirur për Italinë!”, deputeti i PD: Prej 2013 nuk ka ndërtuar asgjë reale me partnerin tonë strategjik

Më: 12 gusht 2023 Në ora: 12:35
Deputeti i PD Titan Shehu

Deputeti i PD Titan Shehu ka ironizuar deklaratën e kryeministrit Rama në lidhje me marrëdhënien e tij me Italinë, duke e cilësuar si “dashuri të shtirur”.

Shehu shprehet se “kryeministrit i duhet “miqësia” me Italinë, edhe në këto momente të përkeqësimit të marrëdhënieve me Greqinë, si pasoje veprimeve arbitrare te tij”.

Sipas tij, “në asnjë rast Rama nuk ka tentuar të krijojë, hapësira për forcimin e rolit të Italisë në rajon e aq me pak në Shqipëri”, por ka bërë “vetëm veprime direket a indirekte për të zbehur rolin e Italisë”.

POSTIMI I PLOTË

Rama dhe “dashuria” e shtirur për Italinë!

Mbas “avullimit” të Ballkanit të hapur, Lindor-Vuçiçian, Rama kërkon të tregohet ithtar i Perëndimit, edhe me përbetimet për “Procesin e Berlinit”!

Në fakt në këtë linjë të tij vetëm aparente perëndimore, ka një paralelizëm me çfarë po përpiqet të transmetojë dhe “Shefi” i tij, Presidenti Erdogan.

Dhe pikërisht këtu i duhet “miqësia” me Italinë, edhe në këto momente të përkeqësimit të marrëdhënieve me Greqinë, si pasojë e veprimeve arbitrare të tij.

Italia është partneri i ynë i vyer strategjik, porta e integrimit tonë evropian.

Me të cilin Rama prej 2013 nuk ka ndërtuar asgjë reale, konsistente, vetëm fjalë.

Në asnjë rast Rama nuk ka tentuar të krijojë, aq sa mundej ai, “hapësira” për forcimin e rolit të Italisë në rajon e aq më pak në Shqipëri.

Asnjë hap konkret, përkundrazi vetëm veprime direkte a indirekte për të zbehur rolin e Italisë, qoftë dhe me tentativat për të forcuar rolin e partnerëve lindorë.

Dhe këto ndesh me interesat tona e të Rajonit në tërësi.

Por tashmë në nëntor, Rama është përpara një “prove” konkrete.

Ministria e jonë e Jashtme me Notë Verbale më parë njoftonte Italinë se për vendin organizues të EXPO 30 do ta mbështesë atë, përballë Arabisë Saudite e Koresë së Jugut: krejt normal ky pozicion.

“Çuditërisht” më tej qëndrimi shqiptar ka devijuar drejt Arabisë Saudite?!

Për Italinë mike, unë si ish-Ministër i Jashtëm, gjykoj se kjo është një çështje thelbësore, që nuk mund të mos influencojë në marrëdhëniet tona.

Pra Rama duhet të vendosë deri në Nëntor; një provë e vogël, por konkrete kjo për “dashurinë” e tij ndaj Italisë e BE, jashtë deklamimeve boshe.

Aq më shumë besoj se tashmë është thelluar dilema e Ramës, mbas disa zhvillimeve të reja shumë pozitive për forcimin e rolit të Italisë në Rajon…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat