Gjirokastra intrigon italianët, rritet numri i turistëve të huaj

Shqipëria

Gjirokastra intrigon italianët, rritet numri i turistëve të huaj

Më: 11 gusht 2023 Në ora: 17:18
Foto ilustrim

Në Gjirokastër numri i turistëve të huaj është disa herë më i lartë së një vit më parë. Shumica e tyre vijnë nga Italia.

Turistët italianë zënë një numër të konsiderueshëm mes turistëve të huaj që kanë vizituar Gjirokastrën këtë sezon turistik. Verën e 2022-shit rreth 120 mijë turistë italianë vizituan jugun e vendit, ndërsa këtë vit pritet që numri të jetë edhe më i lartë.

Ajo që i tërheq më së shumti në Gjirokastër veç trashëgimisë kulturore është mikpritja e banorëve, çmimet e ulëta, tradita dhe kuzhina tradicionale.

“Kjo është hera e parë për mua në Shqipëri, kemi ardhur me motoçikleta. Është një vend i bukur. Mund të ushqehesh, të kënaqesh, të ndihesh mirë. Rrugët janë në gjendje të mirë dhe nuk janë të boshatisura. Deri tani është një eksperiencë e mirë,” – u shpreh një turist.

“Këto janë ditët e para që jemi në Shqipëri. Kemi ardhur me pushime për shkak të çmimeve më të ulëta krahasuar me vendin tonë. Njerëzit këtu janë mikpritës, kemi gjetur plazhe shumë të bukura, restorante të mira, rrugët janë në gjendje shumë të mirë edhe pse kisha dëgjuar që mund të kenë disa probleme,” – tha një tjetër.

Konsullata e Nderit e Italisë në Gjirokastër gjatë kësaj periudhe ka mundësuar sjelljen e grupeve të turistëve italianë por edhe vizitat e organizuar për pushime nga Gjirokastra në Itali

“Gjirokastra ka qenë gjithmonë një e preferuara e turizmit italian pra duke qenë që vitin e kaluar numri ka arritur në gjithë rajonin jugor duke përfshirë Gjirokastër, Përmet, Sarandë tek 120 mijë turistë italianë. I tërheq se Gjirokastra ka një të veçantë se turizmi nuk fillon në muajt e verës që është diçka e lidhur me detin por në Gjirokastër turistët vijnë në pranverë deri në vjeshtë pra janë vlerat historike, arkitektonike , kulturore që ka treva e Gjirokastrës dhe konkretisht qyteti i Gjirokastrës si pasuri në UNESCO dhe qendra historike e saj e restauruar, kalaja, banesat mesjetare gjirokastrite janë një vlerë e veçantë që ata i tërheq shumë,” – tha Teodor Bilushi , Konsull Nderi i  Italisë në Gjirokastër.

Ky sezon veror po cilësohet ndër më të suksesshmit sa i përket zhvillimit të turizmit në Gjirokastër ndërsa përgjatë gjithë vitit qyteti i gurtë është vizituar nga mbi 100 mijë turistë vendas dhe të huaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat