Vendbanimi më i vjetër bregliqenor në Evropë, zbulohet në Shqipëri

Shqipëria

Vendbanimi më i vjetër bregliqenor në Evropë, zbulohet në Shqipëri

Më: 21 korrik 2023 Në ora: 12:02
Lin, Pogradec

Në fshatin Lin të Pogradecit, po besohet se është zbuluar vendbanimi më i vjetër palafit bregliqenor në Evropë.

Kështu së paku po thotë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, e cila tregon se kjo është konstatuar nga një grup specialistësh që po bëjnë kërkime arkeologjike në atë lokacion.

“Sipas specialistëve, mbështetur mbi dijet e deritanishme vendbanimet palafite bregliqenore në Lin, janë më të vjetrat në Evropë dhe ky burim informacioni konsiderohet si një ndër më të rëndësishmet në llojin e vet në rang botëror”, ka shkruar Margariti në Facebook.

Këto rezultate, Margariti i quajti mbresëlënëse dhe shumë të rëndësishme “për vendbanimet prehistorike në vendin tonë”. Ajo shtoi se kjo ekspeditë kërkimore arkeologjike po drejtohet nga arkeologët Adrian Anastasi dhe Albert Hafner.

Më tej, ajo tha se sipas raportit të hartuar nga Anastasi e Hafner, “materialet organike drusore të zbuluara në sitet nënujore ose të mbuluara me sediment në Liqenin e Ohrit apo në bregun e liqenit dëshmojnë për një vendbanim të hershëm fermerësh që daton rreth 5900- 5800 para Krishtit”.

“Analizat me metodën e radiokarbonit po kryhen në Laboratorin C14 në Universitetin e Bernës, që është një nga partnerët në këto kërkime, së bashku me Institutin e Arkeologjisë, financuar nga Bashkimi Evropian”, deklaroi ministrja shqiptare e Kulturës.

Kjo ekspeditë ka nisur prej vitit 2021 dhe po zhvillohet në tre shtete: Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Greqi, por tanimë, sipas Margaritit, “fokusi është përqendruar në sitin e Linit nga vijnë edhe rezultatet e para, të cilat do të plotësohen me përmbylljen e gërmimeve të këtij viti”.

Për këtë ngjarje, ditë më parë shkroi në Facebook edhe kryeministri Edi Rama.

“Një zbulim i rrallë ka dalë në dritë, pranë Linit, në Buqezë të Pogradecit. Arkeologët e Universitetit të Bernës, në bashkëpunim me arkeologët shqiptarë, na konfirmojnë se në këtë vendbanim 8 mijë e 400 vite më herët, është zhvilluar bujqësia, zejtaria dhe peshkimi. Ky zbulim i ri, përveçse ka vlerë të padiskutueshme historike dhe arkeologjike, do të jetë një pikë e re referimi për turizmin”, ishte shprehur Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat