Drejtori i Mbikëqyrjes në BSH: Plotësuam detyrat e Moneyval, sistemi bankar zhvillim pozitiv

Shqipëria

Drejtori i Mbikëqyrjes në BSH: Plotësuam detyrat e Moneyval, sistemi bankar zhvillim pozitiv

Më: 15 korrik 2023 Në ora: 08:08
Foto ilustrim

Shqipëria duket se ka përmbushur kriteret për të dalë nga lista gri sa i takon parandalimit të pastrimit të parave. Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Deniz Deralla, duke iu referuar raportit vjetor të mbikëqyrjes për vitin që lamë pas, thekson se ky zhvillim do të sjellë ulje të kostove të të aktivitetit për institucionet bankare.

Sipas tij, në fokus kanë qenë inspektimet kryesisht në pikat e këmbimit valutor, për shkak se janë konsideruar nga Moneyval si më problematike për pastrimin e parave.

Nga ana tjetër, Deralla theksoi gjatë një prononcimi për mediat se pavarësisht se viti 2022 nuk ishte një vit i zakonshëm për sistemin financiar për shkak të luftës në Ukrainë dhe pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë ishin që rritja e normës bazë të interesit të krijonte vështirësi, kjo nuk ka ndodhur. Sipas Derallës, edhe për gjatë vitit 2022 ka vijuar konsolidimi i sistemit bankar në vend.

“Sa i përket pastrimit të parasë, vitin e kaluar ne plotësuam të gjithë kërkesat që kishte lënë  në kontrollin e vitit 2018 duke arritur një vlerësim më të lartin sa i përket sistemit të Mbikëqyrjes financiare. Dihet tashmë që Shqipëria i ka realizuar të gjithë detyrat e saj në lidhje me parandalimin e pastrimit e parasë dhe ne shpresojmë që Shqipëria të dalë nga lista gri. Viti 2022 ishte disi i ndryshëm, Kemi realizuar një numër te konsiderueshëm kontrollesh sa i përket bankave  por fokusin kryesor e kemi patur tek zyrat e këmbimit valuator e cila ishte dhe sektori  më problematiku. Gjatë 3 viteve të fundit  fokusi ynë ka qenë përputhshmërinë e aktivitetit të këtyre zyrave nga afër me ligjin e pastrimit të parasë dhe kuadrit rregullator në fuqi , sa i përket parandalimit të pastrimit të parasë, ne kemi marrë masa, kemi hequr licenca dhe kemi vënë dhe gjoba me qëllim përmirësimin e këtij lloj aktiviteti në përputhje me rregulloret në fuqi”, deklaroi Deralla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat