Përfundon rinumërimi për bashkinë Kuçovë, 15 vota më pak nga 18 kutitë e 14 majit

Shqipëria

Përfundon rinumërimi për bashkinë Kuçovë, 15 vota më pak nga 18 kutitë e 14 majit

Më: 30 qershor 2023 Në ora: 16:39
Foto ilustrim

15 vota me pak është rezultati final nga 18 kutitë e votimit të zgjedhjeve të 14 majit që u rinumëruan sërish për bashkinë e Kuçovës, në qarkun e Beratit.

Ndryshimi nga rezultati i 14 majit është 9 vota më pak për PS, 4 më pak për Bashkë Fitojmë  dhe 2 më pak për PD .

Katër grupe numërimi u organizuan pranë kolegjit zgjedhor për rinumërimin e 18 kutive në bashkinë e Kuçovës.

Pala paditëse, avokati i kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë, kërkoi mosfillimin e procesit të numërimit pasi pretendon se nuk janë procesverbalet e plota në kutinë e materialeve zgjedhore që tregojnë sa ka qenë numri total i votave dhe nëse përkon me numrin aktual të votave që gjenden në kuti.

Seanca u ndërpre dhe iu la kohë përfaqësueses së KQZ-së për të gjetur materialet.

Gjatë ndërprerjes pati përplasje mes Lefter Maliqit dhe sekretarit të përgjithshëm të KQZ-së, Ylli Merkajt.

Termat e përdorur kanë qenë ofendues, ku Maliqi i është drejtuar atij me fjalët “Rrugaç”, “Hajdut”.

Seanca nisi sërish, ku u vendos të nisë rinumërimi e t’i lihet kohë KQZ-së për të dorëzuar procesverbalet  që Maliqi pretendon se janë bosh e ku vëzhgues në këto 18 Qendra Votimi kanë qenë vetëm vëzhguesit e PS-së dhe PD-së.

Rinumërimi është vendimi i Kolegjit Zgjedhor që hedh poshtë vendimmarrjen e mëparshme të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, pas kërkesës të kandidatit të Koalicionit Bashkë Fitojmë për rivlerësim të votave dhe shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në këtë bashki.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat