Gjykata e posaçme në Tiranë, rrëzoi kërkesën e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Beleri për të qenë i pranishëm në mbledhjen e parë të Këshillit bashkiak, ku nesër është parashikuar dhe betimi i tij. Zoti Beleri mbahet në paraburgim nën akuzën e shitblerjes së votës. Kërkesat e tij për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga Gjykatat.
Ndonëse ndodhej në gjendje arresti, zoti Beleri, rezultoi fitues në zgjedhjet e 14 Majit, me një diferencë të ngushtë votash ndaj kandidatit socialist, ish kryebashkiakut Gjergji Goro. Ndërsa më vonë Komisioni qendror i zgjedhjeve, i dha atij mandatin e drejtuesit të ardhshëm të Bashkisë së Himarës.
Moskryerja e betimit krijon një situatë të paqartë juridike. Ligji parashikon mes të tjerash, se mandati i kryetarit të Bashkisë përfundon kur ai “nuk pranon të bëjë betimin”. Ndërkohë që në këtë rast, situata është tërësisht e ndryshme, pasi ai ndodhet në kushtet kur nuk mund ta bëjë atë.
Arrestimi i tij, dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit, provokoi acarimin emarrëdhënieve me Greqinë, duke qenë se Beleri është përfaqësues i Partisë Bashkimi për të drejtat e njeriut, e cila mbron të drejtat e pakicave greke. Kandidatura e tij u mbështet dhe nga Partia e Lirisë e ish presidentit Ilir Meta dhe grupimii demokratëve i drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha.
Përveç replikave në distancë mes dy qeverive, ministrja e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka pati dy takime në Bruksel me homologët e saj grekë, ku në qendër ishte pikërisht rasti Beleri, të cilin Athina po e trajton si një çështje të shkeljes të të drejtave të minoritetit. Ndërkohë që pala shqiptare këmbëngul se bëhet fjalë për një rast të pastër gjyqësor, në të cilin zoti Beleri, nuk mund të gëzojë asnjë privilegj, nga të qenit pjesë e minoritetit grek.
Edhe sot, ministria e Jashtme greke përmes një deklarate tha se refuzimi i Gjykatës “që ai të marrë pjesë nesër në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Bashkiak, si dhe të bëjë betimin dhe të marrë zyrtarisht detyrën”, tregon, sipas saj, se "qëllimi i autoriteteve shqiptare është që ta privojnë atë nga detyra e kryetarit të Bashkisë", duke theksuar se “si kandidate për anëtarësim në familjen europiane, Shqipëria duhet të respektojë shtetin e së drejtës dhe prezumimin e pafajësisë”./VOA