“Bëni kujdes me kanabisin”, BE: Shqipëria të konsultohet me ne për legalizimin

Shqipëria

“Bëni kujdes me kanabisin”, BE: Shqipëria të konsultohet me ne për legalizimin

Më: 21 qershor 2023 Në ora: 13:06
Foto ilustrim

Kalimi në qeveri i projektligjit për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale u kundërshtua nga opozita me akuzën se Shqipëria po bën hap pas në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Jorida Tabaku, si kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit, pretendon se projektligji është i pakëshilluar me ndërkombëtarët dhe sfidon përpjekjet e BE-së për të bërë pjesë të klubit të tyre vendin tonë. Interesimit të Vizion Plus për vendimin e qeverisë, delegacioni i Bashkimit Evropian iu përgjigj se është në dijeni, por ende nuk është njohur me përmbajtjen e projektligjit.

Në mars të këtij viti, shërbimet e BE-së kishin dhënë komente paraprake, në veçanti për aspektet e zbatimit të ligjit të projektligjit. Megjithatë, ende nuk e kemi parë draft-dokumentin, i cili është miratuar nga Këshilli i Ministrave.

Ende pa nisur diskutimet në komisionet parlamentare, Bashkimi Evropian thotë se i kanë kërkuar qeverisë që të mos e ndërpresin këshillimin me ta.

Shërbimet e BE-së u kanë kërkuar autoriteteve shqiptare të vazhdojnë konsultimin me BE-në për nismat legjislative në lidhje me kultivimin e kanabisit për përdorim mjekësor dhe industrial.

Në qëndrimin e saj, BE nuk deklarohet kundër angazhimit të socialistëve për licesimin e prodhimit privat të kanabisit për përdorim mjekësor dhe industrial nga kompani të huaja, që e zotërojnë këtë eksperiencë, por të aftësitë e organeve ligjzbatuese për ta kontrolluar atë.

Çdo nismë që lejon kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale duhet të vlerësohet tërësisht në raport me aftësitë administrative dhe ligjzbatuese të vendit.

Nëse projektligji do të marrë votat në parlament, të cilat mazhorancës nuk i mungojnë me gjithë kundërshtinë e një pjese të opozitës, Shqipëria do të jetë e radhës në listën e gjatë të vendeve të BE-së dhe përtej saj që bimën narkotike prej vitesh e shfrytëzojnë në mjekësi dhe industri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat