U denoncuan për mashtrim nga turistja çeke, merren nën hetim 3 persona

Shqipëria

U denoncuan për mashtrim nga turistja çeke, merren nën hetim 3 persona

Më: 11 qershor 2023 Në ora: 14:40
Foto ilustrim

Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për tre shtetas shqiptarë, pasi akuzohen për veprën penale ‘Mashtrim’.

Mësohet se tre shqiptarët në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë marrë një shtetase çeke një shumë prej 28 mijë eurosh, nëpërmjet mashtrimit. Burime për Panorama bëjnë me dije se gjithçka ka nisur në paraburgimin e Peqinit, ku bashkëshorti i denoncueses është i ndaluar në vendin tonë prej muajsh pasi kërkohet nga drejtësia çeke pasi akuzohet për veprën penale të fshehjes së të ardhurave.

Burimet bëjnë me dije se i huaji ndodhej në qeli me Erald Filja, i arrestuar në 10 mars të vitit të shkuar për armëmbajtje pa leje dhe posedim droge. Filja i kishte kërkuar këtij të fundit një shumë prej 28 mijë eurosh në mënyrë që të ndikonte tek autoritetet dhe ta lironin nga qelia.

Sipas deklarimeve të kallëzueses, shumën e parave që ajo ja ka dhënë  Martin Bajramit, shokut të Erald Filjas, në harkun kohor të 4 muajve i janë dorëzuar bashkëshortes së Erald Filjas dhe jo autoriteteve.

Pas marrjes së kallëzimit nga shtetasja çeke, prokuroria e Elbasanit dhe  Shërbimi i Kontrollit të brendshëm në sistemin e burgjeve kanë nisur hetimet. Ata kanë arritur të provojnë kryerjen e veprës penale të “mashtrimit” nga 3 të dyshuarit. Gjatë kontrollit hetuesit kanë mundur që të sekuestrojnë shumë e 13.540 euro.

Gjykata caktoi në mungesë masën e sigurimit arrest në burg për Erald Filja dhe Martin Bajramin. Ndërsa për Adriana Filjan u caktua masa e bllokimit të pasaportës.

Njoftimi i plotë:

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ekzekutuar Urdhrin e ekzekutimit datë 10.06.2023, lëshuar në bazë të vendimit nr.386 datë 10.06.2023 dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për caktimin e masës shtrënguese “Arrest me burg” , në ngarkim të shtetasve;

B, lindur dhe banues në Cërrik i datëlindjes 18.01.1982, i akuzuar për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 paragrafi 3 i Kodit Penal.

E.F, lindur dhe banues në Cërrik, i datëlidnjes 31.07.1988, i akuzuar për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 paragrafi 3 i Kodit Penal, aktualisht i paraburgosur në IEVP Peqin për të njejtën vepër penale.

Si dhe për caktimin e masës shtrënguese “ndalim i daljes jashtë shteti”, në ngarkim të shtetases;

F, lindur dhe banues në Cërrik, e datëlindjes 05.01.1990 akuzuar për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 paragrafi 3 i Kodit Penal

Nga veprimet procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në bazë të materialit kallëzues të shtetases Çeke V.R të dërguar nga SHKBB, ka regjistruar procedimin penal nr.630 viti 2023, pasi shtetasit e mësipërm nëpërmjet mashtrimit në bashkëpunim me njëri tjetrin i kanë marrë shumën prej 28.000 eurosh të copëzuar në intervalin kohor prej 4-muajsh. Nga veprimet e shpejta hetimore dhe të dokumentuara në kohën e momentin e duhur nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve është bërë e mundur sekuestrimi i shumës 13.540 euro CASH.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. SHKBB mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët, të paraburgosurit , të dënuarit dhe punonjësit e administratës të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga punonjës të Policisë së Burgjeve, duke telefonuar në numrin 044 20 40 20.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat