Berisha: Rama përdori bandat/ “Qytetarëve u janë dhënë fletë të mbushura nga komisionerët”

Shqipëria

Berisha: Rama përdori bandat/ “Qytetarëve u janë dhënë fletë të mbushura nga komisionerët”

Më: 22 maj 2023 Në ora: 14:49
Sali Berisha

Lideri i opozitës, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se përdori bandat për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit. Berisha shpjegoi para gazetarëve se demokratët po punojnë për të mbledhur të gjitha faktet, që tregojnë të vërteten për betejën e zgjedhjeve lokale.

“Dokumentet faktojnë se në Shkodër u bashkuan bandat me armiqësinë më të egër ndaj njëra-tjetrës të urdhëruara nga krye-Kumbara, Edi Rama. Bandat e Edi Ramës bënë gjithçka për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve në shumë e shumë zona të vendit.”

Berisha ka sjellë si shembull rezultatin e votimit në qendrën e vendosur në burgun e grave, për të treguar presionin që sipas tij, ushtroi qeveria mbi shqiptarët.

“Në burgun e grave në Tiranë është votuar 100% për Erion Veliajn. Vetëm një person, dhe ai ishte vëzhguesi, ka arritur të votojë ndryshe. Në qendra të tjera, qytetarët janë detyruar të mos futen fare në dhomën e fshehtë, sepse kanë marrë fletën e mbushur nga komisionieri.”

Prej një jave, lideri historik i demokratëve, Berisha, ka dalë çdo ditë para medias për të treguar ato elementë që sipas tij, kanë deformuar rezultatin e zgjedhjeve lokale. Ndërkaq, opozita po punon për të hartuar një raport me të gjitha dokumentet e dëshmitë për shkeljet në zgjedhje, për t’ia paraqitur ato faktorit ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat